Flamurtar “memec”, Duro me një dilemë

Humbja me Skënderbeun në shtëpi ka bërë që te Flamurtari të ketë heshtje për shtyp. Pa Bushiç e Kamara, stafit i duhet të vendosë për sulmin

Elton Nika

Heshtje shtypi në Vlorë. Nuk ka konferencë për shtyp të trajnerit, ashtu si edhe kishte ndodhur para çdo takimi që Flamurtari ka zhvilluar gjatë këtij kampionati. Pritet që kjo heshtje për shtyp të vijojë deri pas ndeshjes së kthimit gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë me Skënderbeun. Gjithçka është konfirmuar nga vetë trajneri i Flamurtarit Shpëtim Duro, kur edhe pritej dalja e tij në konferencën për shtyp para takimit me Lushnjën në transfertë. “Nuk ka deklaratë për mediat. Heshtje për shtyp deri në përfundimit të takimit që Flamurtari do të luajë përballë Skënderbeut për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë”, ka theksuar trajneri i Flamurtarit. Përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat janë menduar të vijojnë larg vëmendjes së mediave. Trajneri Duro ka zgjedhur pikërisht këtë rrugë, duke parë edhe situatën e krijuar së fundmi, por edhe rëndësinë që kanë dy takimet e radhës për vlonjatët. Kështu Lushnja në kampionat dhe Skënderbeu në kupë do të përgatiten në heshtje të plotë, kjo me synimin që skuadra të rikthehet sa më shpejt tek rezultatet pozitive. Gjatë këtij sezoni futbollistik, kjo është hera e parë që trajneri Duro nuk flet. Me lojtarët ka ndodhur edhe më parë. Klubi vlonjat ka menduar këtë zgjidhje dhe tani pret reagimin e skuadrës pas një periudhe aspak pozitive, madje mjaft të errët të skuadrës vlonjate. Fitorja e fundit e Flamurtarit në kampionat është regjistruar pikërisht ndaj Lushnjës fazën e shkuar, ndërsa në tetë takimet e tjera më së shumti kanë dalë të mposhtur. Pas mbledhjes së zhvilluar me ekipin, edhe drejtuesit e skuadrës, duke nisur nga administratori Idrizi, kërkojnë reagimin në kampionat dhe kalimin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Vlonjatët janë para dy provave të rëndësishme dhe nuk lejohet të zhgënjehen më.

Përgatitjet – Stafi teknik nuk e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore paradite, por është menduar që ajo të kryhet në orarin e parashikuar të takimit me Lushnjen, pra në orën 16:00. Nisja drejt qytetit të Lushnjes do të bëhet të shtunën paradite, kjo edhe prej afërsisë mes dy qyteteve. Pikërisht nga ky fakt pritet që drejt Lushnjes të udhëtojnë edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh në mbështetje të Flamurtarit, pavarësisht zhgënjimit që kanë marrë në ndeshjen e fundit në shtëpi me Skënderbeun.

Formacioni – Ndaj Lushnjës do të mungojnë Tomislav Bushiç dhe Seku Kamara, për të cilin ende nuk dihet shkalla e dëmtimet dhe pritet të shihet gjendja e tij sërish. Trajneri Duro pritet ta nisë takimin me Alvesh dhe Tunkara në vijën e parë të sulmit, ndërkohë që ka një balotazh mes sulmuesit Ardit Hoxhaj dhe Nedeljkoviç. Pritet të vendoset para takimit se kush do të luajë nga minuta e parë, kurse pjesa tjetër e formacionit nuk pritet të ndryshojë nga ndeshja e fundit me Skënderbeun.

Formacioni i mundshëm
Nurkoviç – Siljanovski, Bicaj, Pollozhani, Musta – Sidibe, Useini, Muarem – Hoxhaj, Alvesh, Tunkara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *