Flamurtar, ke në dorë fatet e Superiores!

Skënderbeu mund ta vrasë kampionatin, nëse mposht sot ekipin vlonjat, rivalin më të afërt. Me 11 pikë diferencë, titulli do të futej në kasafortë

Skënderbeu dhe Flamurtari, dy ekipet që kryesojnë renditjen e Superiores, ngrenë sot siparin e fazës së tretë, apo të gjysmës së dytë të kampionatit. Korçarët kanë 40 pikë, vlonjatët 32. Kuptohet, nëse të parët e fitojnë ndeshjen e sotme, shkëputen 11 pikë dhe natyrshëm gara e titullit do të “vritej” që sot. Kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi, ka deklaruar dje se atij dhe shokëve të tij u intereson ta “prishin” kampionatin, diçka krejt normale për një ekip që kërkon të mbyllë sa më parë llogaritë e titullit dhe të jetë më i qetë në vazhdim.

Ndeshje më pas ka plot dhe asgjë nuk mund të parashikohet me saktësi, por 90 minutat e sotme në Korçë përcaktojnë në një masë të konsiderueshme çështjen e titullit. Opinioni sportiv në vend do të bëjë tifo për Flamurtarin, në mënyrë që gara të jetë sa më e fortë dhe sa më e bukur, por a janë dakord korçarët me këtë fakt? Këta të fundit kanë çdo të drejtë të pretendojnë fitoren ne fushën e tyre, sepse në fund të fundit, nuk është faji i tyre që rivalët mbeten prapa me pikë. Madje, angazhimi në kampin korçar është maksimal për ta fituar me çdo kusht ndeshjen, për të pasur më pas komoditetin e nevojshëm në rrugën drejt titullit dhe për t’ua lënë presionin pretendentëve të tjerë.

Vlonjatët kanë investuar shumë këtë vit, por asnjëherë nuk kanë folur për objektiva konkretë. Një taktikë për të mos e vënë ekipin nën presion, por sot ata kanë në një farë mënyre në dorë fatet e garës së titullit, nëse do ta mbajnë “gjallë” atë apo do të shohim më pas garë vetëm për vendin e dytë. Minimalisht, Flamurtari nuk duhet të humbasë sot, që kampionatit të mbetet sa më i bukur edhe për gjysmën e dytë të tij, kurse fitorja e tij do ta intrigonte më shumë vazhdimin e kampionatit.

GJENDJA – Dy skuadrat vijnë në këtë 90-minutësh që premton spektakël në gjendje të njëjtë, me nga dy mungesa secila. Skënderbeu nuk ka në dispozicion mesfushorët Taku dhe Nimaga, kurse Flamurtari po ashtu nuk ka të gatshëm mesfushorët Sidibe dhe Zhufo. Sidoqoftë, si korçarët, ashtu edhe vlonjatët, kanë një organikë të pasur dhe këto mungesa nuk duhen marrë në konsideratë. Të gjithë shpresojnë që sot në mbrëmje të shohin një ndeshje vitrinë për futbollin shqiptar, të bukur në fushë dhe në shkallët e stadiumit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *