Nga Klaudio Ndreca
Trajneri i Barcelonës, Setien, ka dhënë një intervistë për “RAC1” atje ku ka prekur edhe temën e akademisë. Ronald Araujo, Sergio Akieme dhe Rey Manaj janë tre prej tyre që kanë qenë në stol me ekipin e parë të katalanasve, por që nuk kanë debutuar ende në “La Liga”.
Ndërkohë ideja është shumë e qartë dhe fjalët janë një këmbanë alarmi që duhet t’i dëgjojë edhe Rei Manaj. Që të luajë me fanellën e Barcelonës duhet të tregojë se vlen më shumë sesa të tjerët në atë pozicion, pasi një stemë e tillë nuk mund të jepet si dhuratë, kurrsesi. Por kjo mënyrë e të shprehurit nga ana e Setien ia venit edhe më tepër shpresat sulmuesit shqiptar për debutimin e shumëpritur, duke parë që pritet edhe kthimi i Luis Suarez nga dëmtimi.
“Po çfarë duan tifozët: akademinë apo që të ecin përpara? Unë nuk po them këtu që nuk e bëjmë dot këtë gjë me akademinë, por po e them këtë tjetrën kur edhe ju e shikoni se atyre lojtarëve po u mungon diçka dhe duhet të jenë më shumë konkurrues. Akademia jonë në “La Masia” ka lojtarë të mëdhenjë dhe me potencial. Por kur ti zgjedh një prej tyre, duhet të jesh i sigurtë se është më i mirë se ai lojtari që ke pasur në fushë, sepse nëse nuk është në atë mënyrë, atëherë do të jetë gabim zgjedhja dhe humbet ndeshja”, u shpreh Setien. /Sport Ekspres/