Nevil Dede ka kritkuar zgjedhjen e trajnerit Orges Shehi për të lënë në stol Behiratçen. Trajneri i Dinamos ka ngritur pikëpyetje në studion e emisionit “Skaner“ në “MCN TV“ për faktin se kreu i pankinës së Tiranës nxjerr jashtë loje një lojtar që e ka ndihmuar për të dalë kampion dhe e zëvendëson me një mbrojtës të ri si Zhivanaj. Sipas Dedes, një gabim në një ndeshje, nuk mund të bëjë që Behiratçe të humbasë vendin në formacion.
“Behiratçe është kampion. Ai ka dalë kampion me Tiranën. Ka mbajtur mbi 60% të ndeshjeve. Do bëj krahasimin. Zhivanaj është prapë produkt i Tiranës. Ka mbaruar akademinë e Tiranës, ka shkuar në Pukë në Kategorinë e Dytë, ka lëvizur në një kampionat më të lartë, ka kaluar te Kastrioti ku ka luajtur vetëm 1 nga 4 fazat dhe është kthyer te Tirana.
Sa ndeshje ka luajtur te Tirana? Dhe ti heq Behiratçen që ka dalë kampion? Ke një lojtar tjetër si Zhivanaj, që e ke prodhimin tënd, por e ke abandonuar njëherë dhe tani e ke marrë përsëri. Fiton njëherë me Rrogozhinën se ta fali ndeshjen Rrogozhina. Me një ndeshje nxjerr jashtë një lojtar që të ka nxjerrë kampion gjithë sezonin. Tani është një pyetje e madhe, Zhivanaj nuk është më, kë do bëjnë gati tani? Do bëjnë gati Lulajn?”, ka thënë Nevil Dede./Halit Delibashi-Sport Ekspres/