Kombëtarja shqiptare arriti të regjistrojë dy fitore në ndeshjet e kualifikueseve të Euro 2024 në qershor, duke mundur Moldavinë 2-0 në shtëpi dhe më pas triumfoi në transfertën e largët të Ishujve Faroe pas atij suksesi në shifrat 3-1.
Gjashtë pikë që e rendisin Shqipërinë në vendin e dytë të Grupit E, vetëm një pikë larg kreut ku ndodhet momentalisht Republika Çeke dhe plotësisht në garë për t’u kualifikuar në finalet e kompeticionet më të madh europian.
Sipas trajnerit të Kombëtares, Silvinjo ky është fryt i më shumë se katër muajve punë, që është bërë nga stafi teknik dhe nga skuadra për të përgatitur sa më mirë sfidat zyrtare, ndërkohë që konfirmon se tashmë ai i njeh më mirë lojtarët.
“Mund të flasim më mirë për katër muaj punë, por edhe për ndeshjen e parë me Poloninë. Më pas bëhet, jo thjesht më e lehtë, por sa herë që mblidhemi me lojtarët në grumbullim për 7 apo 10 ditë, bëhet më e lehtë për të punuar me ta, sepse ata i njohin tashmë praktikisht konceptet dhe idetë tona të futbollit. Njëkohësisht edhe ne si staf teknik i njohim më mirë lojtarët”, – thotë tekniku i kuqezinjve në një intervistë të dhënë për Fshf.org, teksa vlerëson paraqitjen e Shqipërisë në dy ndeshjet e fundit dhe thekson se fitoret janë plotësisht të merituara.
Për Silvinjon, impenjimi i treguar nga lojtarët dhe shpirti i garës që ata kanë shfaqur në fushë ka qenë në nivele maksimale.
“Mendoj se në dy ndeshjet e fundit kemi bërë një lojë të bukur, ishin dy sfida të ndryshme dhe të vështira. Moldavia është një skuadër e fortë fizikisht, e vendosur mirë në fushë, e përgatitur mirë. Në sulm ka lojtarë të fortë, por unë mendoj se ne e kemi menaxhuar shumë mirë ndeshjen dhe kemi merituar fitoren në të dyja sfidat. Më pas Ishujt Faroe ishte një transfertë shumë e vështirë, që nga udhëtimi, fusha me bar sintetik dhe në goditjet standarde viheshim në vështirësi.
Jam i kënaqur nga impenjimi, guximi i futbollistëve, të cilët luftuan në fushë, sepse më pas flitet që kemi luajtur mirë e kemi fituar, por edhe unë shoh shumë detaje të tjera, siç është rikuperimi i topit, shpirtin e garës se futbollistëve dhe zemrën e treguar në fushë mbi të gjitha në shtëpi në një stadium të mbushur me 20 mijë tifozë. Jam shumë i kënaqur në këtë aspekt”, – shton trajneri brazilian.
I pyetur nëse ka arritur t’ia imponojë plotësisht ekipit idetë dhe filozofinë e tij të lojës, Silvinjo shprehet se ky është një proces që kërkon kohë, ndërsa ka vlerësuar lojtarët, që sipas tij i kanë përqafuar menjëherë konceptet e duhura dhe janë përshtatur shumë shpejt me metodat e stafit teknik.
“Mendoj që t’i imponosh idetë skuadrës është diçka që kërkon kohë, jam absolutisht shumë i kënaqur kur nis grumbullimi me skuadrën, sepse kemi mundësi të përmirësohemi. Kjo është një pikënisje, jo një vijë finishi, prej katër muajsh punojmë bashkë me lojtarët. Kemi shumë për të përmirësuar të gjithë, por është një proces. Ata janë futbollistë të fortë, i kuptojnë menjëherë idetë dhe konceptet e futbollit. Pjesa më e vështirë është që punohet shumë më video dhe kur mbërrijnë në grumbullim lojtarët kanë 3-4 ditë kohë dhe më pas është ndeshja, pas 3 ditësh, një tjetër ndeshje dhe nuk ka shumë kohë për t’u stërvitur shumë. Duhet të punojmë me video, por ata janë inteligjentë, futbollistë shumë të mirë për të prodhuar në fushë atë që kërkojmë ne”, – vijon trajneri intervistën e tij.
Sakaq, në shtator janë dy ndeshje shumë të vështira ndaj Republikës Çeke në transfertë e më pas me Poloninë në shtëpi. Për Silvinjon çdo sfidë duhet vlerësuar maksimalisht dhe këmbëngul në faktin se kombëtarja ka përpara edhe pesë finale për të arritur objektivin madhor të kualifikimit.
Gjithashtu, trajneri flet edhe për programin që ka stafi teknik dhe kur do të rinisin përgatitjet për ndeshjet e radhës.
“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, ndeshja e parë në Poloni ishte e rëndësishme, dy ndeshjet e qershorit ishin shumë të rëndësishme dhe është e drejtë. Tani ndeshja më e rëndësishme e jona është ajo ndaj Republikës Çeke e më pas kemi Poloninë. Ne kemi për të luajtur 5 finale, duhet të luajmë fort në këto pesë ndeshje dhe të shohim më pas se çfarë do të ndodhë.