Kampionët e kanë detyrim fitoren përballë lushnjarëve, ndryshe situata do të ndërlikohej ndjeshëm
Jurgen Zela
Shtatë pikë në katër ndeshje: kampionët në fuqi mund të kishin bërë më mirë në këtë fillimsezoni, por kampionati është i gjatë dhe ka mjaft mundësi rikuperim. Gjithsesi, siç dihet në Kukës durimi është diçka e rezervuar dhe rezultati nuk mund të pritet pafundësisht. Pas fitores së pastër me Laçin erdhi humbja me Skënderbeun, që i trazoi ndjeshëm ujërat, jo vetëm për rezultatin, por dhe për paraqitjen e skuadrës. Normalisht nuk munguan kritikat e presidentit Safet Gjici, i cili si gjithnjë kërkon që investimi i tij të shpërblehet dhe nuk pranon justifikime. Java e pestë rezervon një përballje interesante, teksa kampionët do të sfidojnë Lushnj?n. Edhe pse verdhjeshilët kanë grumbulluar vetëm dy pikë në këtë fillimsezoni, barazimi i fundit në fushën e Partizanit ka rritur besimin te të besuarit e Artan Banos. Një arsye më shumë është dhe fakti se ndeshja do të luhet në “Roza Haxhiu” të Lushnjës, çka e shton vështirësinë për kuksianët. Normalisht që pas humbjes me korçarët, në Kukës presin kthesën dhe fitorja për ndeshjen me Lushnjën është kthyer në një detyrim. Vetë lojtarët dhe stafi teknik e kanë të qartë që tre pikët janë kusht për të kthyer qetësinë në kampin verilindor. Normalisht që një rezultat tjetër do të bënte që situata të ishte akoma më e ashpër dhe stoli mund të lëkundet, pa harruar gjobat e rënda. Stafi teknik dhe skuadra po punojnë maksimalisht me dy seanca në ditë, teksa dje paradite lojtarët kanë kryer ushtrime fizike dhe sprinte, ndërsa pasdite stafi teknik kishte projektuar një stërvitje në aspektin tekniko-taktik. Në Kukës është vetëm diçka e sigurt, që Lushnjën e kanë marrë mjaft seriozisht.
NDRYSHIMET – Përballë Skënderbeut, skuadra vuajti jo pak dhe në ndeshjen me Lushnjën pritet që stafi teknik të bëjë ndryshime në formacion. Gjithsesi mbetet ende shpejt për të përcaktuar 11-shen. Dëmtimet e përjavshme janë një tjetër arsye e ndryshimeve të shumta, pasi që nga ndeshja e parë asnjëherë stafi teknik nuk e ka pasur në dispozicion grupin e plotë. Shqetësimi më i madh lidhet me mbrojtësin Shameti, si dhe sulmuesin Bakaj, me këtë të fundit që ka mjaft gjasa për rikuperim, megjithatë duhet pritur për ditët në vijim.