Me kampionët është një sfidë e veçantë dhe lojtarët do të shpërblehen, nëse do të përsërisin suksesin e ndeshjes me Partizanin
Nga fitorja me Partizanin te ndeshja me Kukësin. Nis faza e dytë dhe kamzalinjtë duan ta nisin me fitore edhe për faktin se luajnë në shtëpi. Fazën e parë vendosi një 11-metërsh në Kukës, ndërsa tashmë pritet të luhet tjetër muzikë. Debutuesit duan vazhdimësinë dhe fitorja me kryeqytetasit e Partizanit i ka motivuar më shumë. Në fushën e tyre asnjë kundërshtar nuk ka arritur të marrë pikë të plota dhe Kukësi nuk do ta ketë aspak të lehtë.
RIVALITETI – Presidenti Naim Qarri ka një mbështetje të madhe dhe nga bashkia dhe kryetari i saj Xhelal Mziu. Ky i fundit i ka fituar zgjedhjet pikërisht përballë presidentit të Kukësit, Safet Gjicit. Për këtë arsye, kjo ndeshje bëhet më interesante, pasi drejtuesit duan me çdo kusht të marrin fitoren me kampionët. Jo vetëm kryetari i Bashkisë, por dhe vetë presidenti Qarri, kërkojnë me çdo kusht të marrin rezultat pozitiv përballë skuadrës së Safet Gjicit.
PREMIO – Siç mësohet, për këtë ndeshje drejtuesit e Kamzës kanë vënë edhe një premio, por shifra nuk bëhet e ditur publikisht. Lojtarët do të kenë një motiv më të madh për të marrë një rezultat pozitiv përballë Kukësit. Gazeta mëson se kjo është një politikë e ndjekur dhe më parë, megjithatë nuk preferohet të bëhen publike. E sigurt është që me Kukësin në Kamzë presin spektakël, pse jo dhe një rezultat të njëjtë me atë të ndeshjes së javës së shkuar ndaj Partizanit.