“Fitorja historike me Greqinë më pikantja”, trajneri i Kombëtares U-17 rrëfen emocionet me fanellën kuqezi

Ndërprerja e kampionateve ka bërë që futbollistët të vihen përballë një misioni të vështirë për të ruajtur formën e tyre fizike. Puna nuk mund të bëhet si më parë dhe i këtij mendimi është edhe trajneri  i Kombëtares U-17, Elvin Beqiri. Ish-futbollisti i Vllaznisë ka qenë i ftuar në emisionin “Fan Zone”, ku ka folur më tepër rreth ndikimit të situatës aktuale.

Ndërkohë, Beqiri nuk mund të linte pa komentuar edhe ish-ekipin e tij, duke thënë se ndërprerja e Superiores erdhi në momentin e tyre më të mirë në këtë sezon. Gjithashtu në vëmendjen e tij ka sjellë edhe kohën kur mbante veshur fanellën kuqezi të Kombëtares, teksa veçon edhe ndeshjet që i kanë lënë më tepër mbresa. E këtu nuk mund të mungonte debutimi në qytetin e tij të lindjes, si dhe përballja me Greqinë.

“Lojtarët po stërviten, edhe pse jo në kushte optimale. Presin që shumë shpejt të dalim nga kjo gjendje, por ata duan të jenë të gatshëm kur të rinisë kampionati. Nuk mund të punojmë si më parë, kjo kuptohet, Është në të gjithë botën, jo vetëm tek ne. Puna jonë është me grumbullime, pra në periudha të caktuara. Po mundohemi të jemi aktivë me kolegët dhe lojtarët e Kombëtares, interesohemi për gjendjen e tyre dhe mundohemi të plotësojmë boshllëkun.

Vllaznia

“Ekipi ka patur disa luhatje gjatë kampionatit, por mendoj që në momentin që ishte mirë ndaloi kampionati. Kisha bindjen që ekipi do të ngrihej në tabelë. Skuadra është plotësuar dhe ka lojtarë cilësorë, ashtu edhe stafi teknik me në krye trajnerin Jonuz. Po mundohen të bëjnë më të mirën për të mos e kaluar më atë stres që kaluan para pak kohësh“.

Ndeshjet me Kombëtaren

“Janë kujtime të bukura, kemi zhvilluar ndeshje të mira me Kombëtaren, unë kujtoj disa, por më pikante është ndeshja me Rusinë dhe ajo me Greqinë, ku morëm një fitore historike. Ka dhe shumë ndeshje të tjera që nuk mund t’i përmend të gjitha. Sa u përket brezave, koha bën të sajën. Patëm mundësinë të ndienim emocionet e kualifikimit të Shqipërisë në Europian. Kam shpresë që një ditë do të kthehemi në një turne të madh, Europian apo Botëtor. Brezi aktual është i mire, Reja ka gërshetuar të rinjtë me ata me eksperiencë”, ka thënë Elvin Beqiri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/