Fitorja e Partizanit, Çani lajmi më i bukur

Partizani ka rigjetur fitoren, loja ndaj Luftëtarit ishte shumë e mirë dhe erdhën golat.

Megjithatë, lajmi më i mirë ishte kthimi i Edgar Çanit, sulmuesit që pritej të çonte Partizanin të titulli sivjet.

Sezoni i Partizanit ka qenë edhe sezoni i Çanit, shumë rrëzime, pak buzëqeshje, por duket se makthi mori fund.

Sulmuesi i njohur u fut, fitoi penallti me prekjen e parë të topit dhe tregoi sa shumë i mungon një sulmues zone Partizanit.

E mori vetë topin Çani, donte shumë ta gjuante vetë, për t’u zhbllokuar edhe moralisht, në një moment të errët për të. Më pas topin ia mori Batha, i cili shënoi, ndërsa pas ndeshjes u justifikua se Trashi dhe Çani donin të gjuanin, ndaj e mori ai topin për të mbyllur debatet.

Ndoshta do të ishte më njerëzore nga Batha e Trashi që t’ia jepnin penalltinë Çanit, duke parë që ishte fundi i ndeshjes dhe fitorja ishte siguruar. Gjithsesi, për Partizanin dhe Çanin nuk ka rëndësi kush e gjuan penalltinë, rëndësi ka që të shënohet dhe që Çani më në fund të kapë formën e vet optimale. Nëse ai ia del, edhe Partizani ia del.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *