Mbrëmjen e sotme janë luajtur edhe dy ndeshjet e fundit të javës së 8 të “Abissnet Superiore“-s. Erzeni ka mposhtur Teutën në derbi, i cili u vendos nga Kaçbufi. Ky i fundit e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 79, duke i dhënë një fitore me mjaft vlera shijakasve. Por nëse në “Niko Dovana” golat ishin me pikatore, e kundërta mund të thuhet për sfidën mes Partizanit dhe Kukësit.
Të kuqtë arritën të fitonin mes 7 golave, teksa mposhtën verilindorët me shifrat 4-3. Bintsuka ishte padyshim njeriu i ndeshjes për kryeqytetasit, pasi 3 prej golave të shënuar mbanin autorësinë e tij. Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MNC TV”.
Deliallisi (Erzeni): “Ka qenë një javë më e gjatë dhe më e plotë për të rekuperuar lojtarët. Kontigjentin e kemi të cunguar. Jam munduar më shumë nga ana psikologjike për t’i rritur moralin, pasi cilësitë i kemi. Sot i kam kërkuar vetëm përqendrim dhe përgjegjësi individuale. Këto bënë diferencën sot. Nuk kemi bërë asgjë, të ulim kokën dhe të punojmë akoma më shumë. Me tre pikë shkojmë shumë lart, por me një humbje shkojmë shumë poshtë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/