Fitoi betejën me Covid-19, Matuidi rrëfen përvojën e hidhur: Ishte e tmerrshme, më çoi në psikozë

Blaise Matuidi ishte një nga lojtarët e Juventusit të infektuar me Koronavirus, së bashku me Dibalën dhe Ruganin. Mesfushori francez e fitoi betejën e tij me këtë virus vdekjeprurës, ndërsa ka thyer më në fund edhe heshtjen për të folur më tepër për këtë përvojë aspak të bukur në jetën e tij. Në një bisedë në “Youtube” me ish-shokun e tij të skuadrës te Juventusi, Mehdi Benatia, Matuidi është shprehur se u shqetësua tej mase kur mësoi se ishte prekur me Covid-19. Madje tregon se kjo gjë e çoi në psikozë.

“Ishte një gjë e tmerrshme, më çoi në psikozë. Unë gjithmonë isha i shqetësuar për atë që mund të ndodhte me njerëzit afër meje. Një përvojë krejt e re, për të cilën nuk ishim të përgatitur. Sapo dëgjova lajmet për pozitivitetin tim u shqetësova për familjen dhe miqtë e mi. Shpresoj që kjo periudhë të kalojë dhe që të mund të rikthehemi të luajmë në fushë”, ka thënë Blaise Matuidi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/