Firma në Hungari, Latifi: Nuk ka ende asgjë zyrtare

Futbollisti kosovar tregohet “hermetik” në lidhje me vizitën e tij hungareze. Pranon vetëm që ishte në Hungari dhe se asgjë nuk është mbyllur zyrtarisht

Leonard Trebicka

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Liridon Latifi, me porosi të drejtuesve të klubit “Skënderbeu” dhe menaxherit, por edhe të drejtuesve të tjerë, që e shoqëruan në Hungari një ditë më parë, pas kthimit në Korçë, nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me ekipin e tij të ri. Kosovari ishte parapërgatitur për të mos dhënë asnjë informacion rreth udhëtimit 24-orësh në Hungari dhe ndoshta kanë të drejtë, sepse marrëveshja nuk ka marrë ende formë zyrtare. Pra, nuk ka ende një firmë mbi kontratë për transferimin e lojtarit të Skënderbeut në Hungari, tek Akademia Pushkash. Por ka një akord paraprak, që sjell të ardhura të konsiderueshme si për Skënderbeun, ashtu edhe për vetë lojtarin. Mesfushori pranon vetëm se ka qenë në Hungari dhe ka kryer vizitat te kjo skuadër, por detaje të tjera nuk jep, ashtu si dhe pjesëtarët e klubit. Dje në mesditë Liridon Latifi është kthyer në Korçë dhe për “Sport Ekspres” ka dhënë këtë intervistë:   

– Latifi, është punë e kryer kalimi juaj në Hungari, te Akademia Pushkash?

– Nuk mund të them asgjë për këtë. Mund t’ju konfirmoj se isha në Hungari dhe bëra vizitat. Vetëm kaq. Do të luaj edhe në takimet ndaj Dinamos së Zagrebit me fanellën e Skënderbeut dhe do të bëj maksimumin për këtë fanellë.

– Po ju sapo jeni kthyer nga Hungaria. Çfarë keni bërë atje, keni një akord paraprak?

– Ju thashë se nuk mund të flas për gjëra të tilla, sepse në fund të fundit nuk është mbyllur asgjë, me asnjë skuadër. Kur asgjë nuk është zyrtare, si mund të flas? Më pyesni për ndeshjen e së enjtes, pasi aty jam i përqendruar maksimalisht.  

– Atëherë, sa e njihni Dinamon e Zagrebit, a ka ndryshuar nga ajo e para dy viteve? Si e shikoni këtë përballje?

– Dinamo është një skuadër shumë e fortë. Ndoshta jo si dy vite më parë, por edhe tani mbetet një ekip i fortë, një nga më të mëdhenjtë e Ballkanit. Megjithatë, shpresojmë të mos jenë në ditën e tyre më të mirë dhe ne të kemi fatin në krahun tonë.

– Çfarë prisni në ndeshjen e parë në stadiumin “Maksimir”?

– Shpresojmë të jetë një ndeshje pozitive për ne. Normalisht, do të shkojmë atje për të bërë lojën tonë dhe të kemi përqendrimin maksimal, pasi nëse japim më të mirën, sigurisht që do ta arrijmë edhe objektivin.

– Sa pritet të vendosë takimi i parë për kualifikimin?

– Them se do të jetë një takim, që do të vendosë shumë. Shpresoj të marrim një rezultat të mirë. Ndoshta edhe humbja 2-1 për ne do të ishte rezultat i pranueshëm. Në stadiumin tonë do të luanim për një fitore minimale dhe shanset do të ishin shumë të mëdha, nëse ndodh kështu. Dy ekipet kanë ndryshuar shumë nga dy vite më parë.

– Çfarë ka më shumë Skënderbeu tani se dy vite më parë?

– Po, kemi ndryshuar në përbërje, si ne, ashtu edhe ata. Por nuk dua të mendoj për kundërshtarin. Ekipi ynë them se ka më shumë eksperiencë dhe besoj se kjo do të na ndihmojë të jemi më të përgatitur se në përballjen e para dy viteve.

– Po Latifi, sa ka ndryshuar nga dy vite më parë?

– Normalisht, jam dy vite më i madh, më i pjekur profesionalisht dhe më me eksperiencë. Shpresoj të jap kontributin maksimal në atë takim dhe të arrijmë diçka të madhe. Shpresoj shumë të jem në formë në dy takimet që po vijnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *