Edhe pak ditë na ndajnë nga finalja e madhe për titullin kampion në kampionatin “Abissnet Superiore” Partizani – Egnatia, që do të zhvillohet të dielën më datë 26 maj në stadiumin “Air Albania”. Dy skuadrat më të mira të sezonit do të përballen në një betejë të vërtetë ku do të vendoset gjithçka, ndërsa ndeshjen do ta drejtojë gjyqtari anglez, Anthony Taylor.
Por jo vetëm Taylor, pasi edhe dy asistentët e tij dhe gjyqtari i dhomës VAR do të jenë të huaj.
Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se është arritur akordi që dy asistentët e Taylor të jenë Gary Beswick (asistent i parë) dhe Adam Nunn (asistent i dytë), ndërsa sistemi VAR i është besuar Robert Jones. Të tre gjyqtarë me mjaft eksperiencë që vendosin drejtësi së bashku me Anthony Taylor në kampionatin anglez. Së fundmi Anthony Taylor si arbitër kryesor së bashku me Gary Beswick, Adam Nunn dhe Robert Jones gjykuan sfidën e parë çerekfinale në UEFA Champions League, PSG – Barcelona.
Taylor, Beswick dhe Nunn vendosën drejtësi edhe në sfidën e parë gjysmëfinalen në UEFA Champions League, Borussia Dortmund – PSG. Ndërsa kanë gjykuar së bashku edhe finalen e UEFA Europa League 2022/2023 Sevilla – Roma. Gjithashtu Anthony Taylor, Gary Beswick dhe Adam Nunn janë përzgjedhur nga UEFA për të vendosur drejtësi edhe në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.
Në ndeshjen finale për titullin kampion Partizani – Egnatia, arbitri i katërt do të jetë Enea Jorgji ndërsa gjyqtari në AVAR është Kreshnik Barjamaj.
Finalja e madhe për titullin kampion Partizani – Egnatia, do të luhet të dielën më datë 26 maj në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00. Biletat për ndeshjen e titullit kampion Partizani – Egnatia dhe për finalen e vogël për vendin e tretë/katërt Skënderbeu – Vllaznia mund të blihen online në ebileta.al si edhe në pikat fizike pranë stadiumit “Air Albania” dhe stadiumit “Selman Stermasi” në fashën orare 10:00-18:00.