Edhe tre ditë nga finalja e madhe për titullin kampion në kampionatin “Abissnet Superiore”, Partizani – Egnatia. Në stadiumin “Air Albania” pritet një finale spektakolare ku të dyja skuadrat kërkojnë vetëm fitimin e trofeut.
Partizani drejt finales së madhe të titullit vjen me objektivin e qartë, për të mbrojtur kurorën e kampionit dhe një arsye e madhe për të besuar është forma e mirë që po kalon skuadra e Orges Shehit. Gjashtë fitore radhazi në ndeshjet e fundit dhe tani të kuqtë janë në kërkim të “mrekullisë” së shtatë që do t’i jepte titullin e 18-të në histori.
Në anën tjetër, Egnatia në këtë sfidë vjen më e motivuar se kurrë për të shkruajtur historinë. Një sezon fantastik i dominuar nga rrogozhinasit që triumfuan edhe në Kupën e Shqipërisë për të dytin sezon radhazi. Egnatia i ka të gjitha mundësitë dhe të dielën në “Air Albania” do të kërkojë lavdinë.
Finalja e madhe për titullin kampion Partizani – Egnatia, do të luhet të dielën më datë 26 maj në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00. Ndërkohë nesër në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00, do të luhet edhe finalja e vogël për vendin e tretë/katërt në kampionatin “Abissnet Superiore”, Skënderbeu – Vllaznia.
Biletat për ndeshjen e titullit kampion Partizani – Egnatia dhe për finalen e vogël për vendin e tretë/katërt Skënderbeu – Vllaznia mund të blihen online në ebileta.al si edhe në pikat fizike pranë stadiumit “Air Albania” dhe stadiumit “Selman Stermasi” në fashën orare 10:00-18:00.