Shqipëria do të luajë dy përballjet e radhës për kualifikueset e Europianit ndaj Francës dhe Islandës. Kuqezinjtë duhet të grumbullojnë minimalisht 3 pikë për të mbajtur sadopak shpresën ndezur, por sigurisht që më shumë optimizëm do të jetë edhe marrja e pikës në transfertën e Francës.
Turqia ndodhet me 9 pikë në këtë grup, ndërsa trajneri i saj, Seniol Gunesh, e kishte kapur në mënyrën më të mirë filozofinë për të kaluar më tej. Sipas intervistës së dhënë së fundmi, Gunesh është shprehur se i kishte thënë lojtarëve të tij se duhet ta konsideronin Francën si një finale, pasi kjo do të ishte edhe “arma” shtesë kundër ekipeve të tjera që kërkonin vendin e dytë. Kjo pasi llogaritej që Islanda dhe Shqipëria të mos merrnin pikë asnjëherë kundër këtij rivali të frikshëm.
“Hapi i parë dhe i radhës për ne është ndeshja me Andorën. Nëse hedhim një sy nga renditja, shohim Francën, Turqinë dhe Islandën. Ne e kishim avantazhin tonë pasi mundëm Francën, por Islanda na mundi dhe u fut në garë. Por e kemi gjithmonë këtë shans. Kur fituam ndeshjet e para, u thashë djemëve se Franca do të ishte një finale për ne, pavarësisht nga ajo që morën konkurrentët e tjerë”, ka thënë Gunesh. /Sport Ekspres/