Feston Franca, shpartallon Holandën dhe merr një dhuratë nga Suedia

Që Holanda nuk është më ajo që njohim, ky nuk është lajm, por që të kthehet në një skuadër “dyshek”, që e mundin thuajse të gjithë dhe që rivalët e mëdhenj nuk e llogarisin më, kjo është vërtet për të ardhur keq.

Sot Holanda u mund 4-0 në Francë dhe praktikisht ka djegur një nga shanset e fundit për të kapur vendin e dytë, që shkon në play-off.

Franca dominoi totalisht, aq sa pati 61% zotërim topi dhe goditi  21 herë portën kundërshtare, 14 herë në kuadrat. Grizman në minutën e 14-të shënoi golin e parë dhe aty Holanda mori goditjen e parë, ndërsa Strotman në minutën e 62-të e braktisi, duke marrë karton të kuq.

Më pas, njeriu më i kërkuar në Angli, Lemar, shënoi 2 gola në minutat 73 e 88, si për t’i treguar Anglisë pse e duan aq shumë Liverpuli e Arsenali, ndërsa në shtesë Mbape festoi kalimin te PSG me gol.

Ndërkaq, Francës i erdhi një dhuratë nga Suedia, sepse skandinavët u mundën papritur 3-2 në Bullgari, aty ku ishin gjithnjë në disavantazh dhe goli i Çoçev në minutën e 79-të i detyroi të kapitullonin përfundimisht. Vendi i dytë mbetet suedez, por tashmë edhe Bullgaria është futur fuqishëm në garë, pa harruar Holandën.

One thought on “Feston Franca, shpartallon Holandën dhe merr një dhuratë nga Suedia

  1. Keni harruar lojtarin e 12 te Frances arbitrin, qe e la Hollanden me 10 lojtare, apo nuk shikoni ndeshje dhe vetem llapni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *