Spanja arriti të fitonte një takim të vështirë në transfertë ndaj Rumanisë, duke ia dalë në shifrat 1-2. Shumë raste të shpërdoruara që mund t’i ktheheshin kundër në fundin e ndeshjes, por vendasit nuk arritën te goli i barazimit.
Sa i përket asaj që hapi më shumë polemika në këtë ndeshje, ishte mënyra sesi Serxho Ramos festoi golin e parë. Pasi tundi rrjetën nga pika e bardhë e penalltisë, shkoi te tifozët kundërshtarë dhe bëri shenjën e syzeve.
Të gjithë e kanë marrë si një provokim në stadium, që mbrojtësi i Realit të Madridit ua bëri hapur në shtëpinë e tyre. Arbitri ndante të njëjtin mendim, pasi e ndëshkoi me karton të verdhë. Por gjithçka e ka një shpjegim, ndërsa Ramos ka nxjerrë një tjetër version: “Festimi nuk kishte të bënte me asgjë të shëmtuar kundër tifozëve. Unë e kisha dedikimin dhe festën për nipin tim. Por në gjithë atë zhurmë, është e vështirë të shpjegohesh”, ka thënë Ramos. /Sport Ekspres/