Joakim Lëv e ka të sigurt postin në krye të përfaqësueses gjermane, pavarësisht se kampionët e botës u eliminuan prej fazës së grupeve në turneun në Rusi. Presidenti i Federatës, Reinhard Grindel konfirmoi gjatë një konference video se Lëv është ende njeriu i duhur për stolin e “pancerave”.
Pas diskutimit me borin drejtues dhe drejtorin e Federatës Gjermane, Oliver Bierhof, përfundimi ishte se trajneri duhet të vazhdojë punën në krye të skuadrës. Vendimi erdhi në një kohë kur i gjithë opinioni priste shkarkimin e Joakim Lëv. Vetëm pak kohë përpara startit të Kupës së Botës 58-vjeçari firmosi rinovimin afatgjatë të kontratës.
Te Gjermania besojnë ende te drejtuesi i stolit, edhe pse skuadra zhvilloi paraqitjen më të dobët në histori, duke u eliminuar për herë të parë prej fazës në grupe. Ata humbën me Meksikën dhe Korenë e Jugut, duke u pozicionuar në vendin e fundit në grup.