Nga Klaudio Ndreca
Faza e parë është mbyllur dhe skuadra që ka gjithë moralin për ta nisur sa më mirë të dytën është padyshim Kukësi. Tirana ka marrë të vetmen humbje në Superiore për nëntë ndeshje dhe kush tjetër përveç verilindorëve mund ta ndalte? Ndoshta askush!
Që në daljen e parë për mediat dhe kontaktin që ka pasur me gazetarët, Longo është një person që pa frikë mund të thuhet se të bën të dashurohesh me shikim të parë. Arsyeja? Në Shqipëri janë të “ngopur” nga italianët që përfitojnë jo pak nga mendimi i krijuar në vendin tonë për ta dhe nisin që ta shfrytëzojnë, shpeshherë duke e tepruar dhe duke dhënë leksione si ta kenë shpikur vetë futbollin, kur rezultatet nuk flasin për ta.
Ndërkohë Longo qysh në krye të herës e ka theksuar se Kukësi nuk është për kampion, se ka shumë për të punuar që të arrijë në nivelet e ekipeve më të mira. Në një skuadër që gjithmonë pretendohet më shumë sesa duhet, Longo ishte “ilaçi” perfekt për t’u qetësuar. E kjo metodikë punë ka qenë rezultative pasi Kukësi ndodhet në vendin e dytë, vetëm tre pikë larg kryesimit dhe njëkohësisht është e vetmja skuadër që ka mundur Tiranën.
Për më tepër ishte një skuadër që u ndërtua e gjitha nga e para në verë. Nëse për shumëkënd po përdoret si justifikim fakti i formimit të ri për këtë sezon, Longo po tregon rastin tjetër, se mund t’ia dilet në çfarëdo rrethane të mundshme. Basha, ky ishte lojtari që vendosi ndeshjen kundër Tiranës me një supergol që në fakt nuk lindi nga rastësia.
Gjithmonë e kemi theksuar se futbollisti në fjalë është një ndër afrimet më të goditura të Kukësit pasi e zbukuron lojën për sytë e sportdashësve dhe njëkohësisht ka treguar klasin në të gjitha golat e tij. Është duke kryesuar listën e golashënuesve të Superiores, por nuk ka të njëjtën vëmendje që kanë shumë futbollistë të tjerë.
E gjitha kjo e ka një shpjegim, Kukësi nuk kërkon që të ngrejë figurën e një lojtari, por të grupit. Në disa ndeshje shohim që te verilindorët të shndërrohet në yll Fejiao, më pas Milunoviç, në disa raste edhe Ndreca me predhat e tij e në shumicën e herëve, Basha. Por jo të pakëta kanë qenë rastet kur Longo ka bërë pa njërin prej këtyre lojtarëve, duke i sakrifikuar dhe lënë jashtë për hir të skemës, si për të treguar se Kukësi i tij ia dalë në çfarë do lloj mënyre.
Për hir të kësaj pune, të përulësisë dhe njëkohësisht të rezultateve që flasin në favorin e tij, padyshim që Longo ka gjithë meritën për këtë Kukës që duhet thënë se është një nga surprizat e bukura të kësaj faze të parë. Ndoshta të gjitha këto cilësi të një italiani që nuk i shkojnë për shtat, i marrin jo pak vëmendje edhe lojtarëve që po shprehen dhe janë protagonistët e fushës së blertë, por në fund me rëndësi te Kukësi është që të vazhdojnë në këtë rrugë të mbarë. /Sport Ekspres/