Dean Liço do të merrte shansin e artë për të luajtur me të rinjtë e Lacios disa kohë më parë. Shpërthimi i pandemisë ishte fati i keq që shënjoi nisjen e karrierës së këtij lojtari, që duhej të largohej te Askoli dhe më pas të rikthehej në futbollin shqiptar. Fillimisht ka veshur fanellën e Partizanit dhe më pas atë të Skënderbeut, duke i ndihmur jo pak korçarët në këtë sezon. Në një intervistë për “Sport Magazine” me Drilon Xhepollarin, Liço ka treguar gjithçka sa i përket vijmësisë së tij.
“Ne po punojmë dita-ditës te Skënderbeu dhe shpresojmë se do të vazhdojmë në këtë ritëm. Janë disa ekipe që luajnë futboll shumë të mirë këtu në Kategorinë e Parë. Babai si zëvendës trajner te Skënderbeu? Është e vështirë, babai është kritiku më i madh i imi dhe unë nuk jam aq i lirshëm sa mund të jem me një trajner tjetër. Ka momente që vendosem në siklet se e harroj ndonjëherë që babai im është zëvendës trajner gjatë ndeshjes.
Koha te Lacio? Kur luajta atje nisi pandemia dhe u ndërpre futbolli në të gjithë botën. Kur nisi prapë futbolli, më iku mosha për U-19. Për këtë arsye u transferova te Askoli. Kam pasur fatin të stërvitem me lojtarë të mirë dhe ky është futbolli, ka ulje-ngritje. Ne duam të ngjitemi në Superiore. I jam mirënjohës edhe Partizanit për kohën që kalova atje. Në fakt i kisha pritshmëritë e tijera, por nuk varej nga mua, varej edhe nga klubi”, tha Dean Liço. /Sport Ekspres/