Fat dhe sherr, Marseja në finale dhe Salcburgu në lot

Olimpiku i Marsejës kthehet në finalen e një kompeticioni europian pas disa dekadash, pasi sot ka eliminuar me shumë fat e vuajtje Red Bull Salcburgun.

Një ndeshje dramatike, që rezultoi shumë më e ndërlikuar për francezët, që kishin fituar 2-0 në Francë dhe u mjaftonte të mbroheshin mirë në Austri.

E bënë në mënyrë perfekte në pjesën e parë, por ndonëse nuk pati gola, Salcburgu ishte skuadra e vetme që po e kërkonte golin, që erdhi në minutën e 53-të, kur shënoi Haidara.

Aq u desh që stadiumi të ndizej flakë dhe ashtu si me Lacion, Salcburgu shtoi jsahtëzakonisht ritmin, duke bërë që në minutën e 65-të Sarr të shënonte në portën e vet. 2-0 dhe gjithçka nga e para, ndërkohë që nuk pati më gola deri në fund të kohës së rregullt.

Në shtesë Marseja futi mbrojtësin Rolado, qartësisht duke menduar për të mos pësuar gol, por në minutën e 116-të pikërisht Rolando kualifikoi marsejezët. Një goditje këndi inekzistente u dha në favor të Marsejës dhe krosi në zonë gjeti të vetmuar mbrojtësin portugez, i cili nuk gaboi. Ishte gjuajtja e parë në kuadrat e Marsejës në këtë takim.

Protesta pa fund nga Salcburgu, që e mbylli me 10 lojtarë dhe pas fishkëllimës finale rrethoi arbitrat duke kërkuar llogari, por natyrisht ishte e kotë, Marseja shkon në finalen e Lionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *