“Fanella kuqezi është e vetmja që nuk ndryshon në karrierë”, mesazhi nga Denisa Qose

0

Denisa, edhe pse ende 17 vjeçe, kur flet për karrierën e saj futbollistike, duket sikur ka vite që luan futboll. Hapat e saj në futboll kanë nisur përmes televizorit, duke parë ndeshje, ndërsa fillimet e saj si futbolliste, i ka pasur në ekipin e moshave të Atromitosit, një klub grek, ku ajo u dallua si talent. Kur u kthye në Shqipëri, u aktivizua me ekipin e Skënderbeut, më pas me Kinostudion dhe tani është pjesë e ekipit të Tiranës. Kukullat i la që e vogël për topin e futbollit, i cili duket se nuk e zhgënjeu, duke e bërë edhe pjesë të Kombëtares shqiptare të futbollit, një nga ëndrrat e saj që ka pasur që e vogël. Në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar”, në fshf.org, Denisa Qose flet me emocione për grumbullimet me Kombëtaren, duke e konsideruar si shtëpi. Në intervistën e dhënë, Denisa tregon se për futbollin, është e detyruar të jetojë larg familjes dhe po punon që një ditë, të jetë pjesë jo vetëm e ekipit A, por edhe e klubeve europiane.

-Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
Mund të duket shumë përsëritëse, por futbollin kam nisur ta pëlqej përmes televizorit. Kur isha e vogël, rreth moshës 6-7 vjeçe shikoja shumë ndeshje. Ndihesha shumë mirë kur shikoja futboll, më bënte të përjetoja emocione që ndoshta as kukullat, për një fëmijë si unë, nuk m’i falnin. Dhe këmbëngulja me veten, sikur edhe unë një ditë të kisha mundësi të isha pjesë e kësaj loje dhe të përjetoja emocionet e vërteta. Kështu, kur isha 8 a 9 vjeçe, babai im, i cili dua të them se ka qenë ai që më ka shtyrë më tepër të bëhem pjesë e futbollit, më regjistroi në një ekip moshash. Babi ka pasur dëshirë të bëhej futbollist, por nuk ia arriti, për shkak se i duhej të emigronte. Tashmë ai ma ka lënë mua, të plotësoj dy ëndrra, përveç ëndrrës time, edhe ëndrrën e tij.

-Si është marrëdhënia jote me grupin dhe trajnerin? Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je e kënaqur?
Sapo jam bërë pjesë e ekipit të KF Tiranës, ekipit të femrave që është krijuar këtë sezon. Kam një marrëdhënie shumë të mirë edhe me trajnerin edhe me grupin. Edhe më parë, kur kam qenë pjesë e ekipeve të tjera, si pjesë e ekipit të Atromitos Athinë, apo Skënderbeut e Kinostudios, kam kaluar mjaft mirë. Tani me Tiranën, jam shumë e kënaqur. Jemi një ekip i bashkuar dhe deri tani kemi bërë shumë mirë. Po stërvitemi fort, pasi duam të jemi në krye të kampionatit. Ky është qëllim i imi përsonal por edhe i grupit. Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij ekipi në fakt. Do të doja të falenderoja presidentin Refik Halili, që më dha mundësinë të jem pjesë e ekipit.
Me Kombëtaren, grumbullimet janë më të rralla, por që ndihem shumë mirë. Kombëtarja ka emocione të tjera nga klubi. Kombëtarja është shtëpia. Me të gjitha ekipet që kam luajtur, ruaj mjaft kujtime të bukura dhe të mira dhe i falenderoj të gjithë që më kanë bërë pjesë të planeve të tyre, por Kombëtarja është shtëpi. Nuk ndërrohet dot. Është e vetmja fanellë që qëndron e njëjta deri në fund të karrierës dhe jetës. Siç e thashë, grumbullimet janë të rralla, por marrëdhëniet shumë të mira, si me drejtuesit edhe me vajzat.

Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga Kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi?
Realizova ëndrrën time, që kam pasur që kur u bëra pjesë e futbollit. Edhe pse kam qenë e vogël, e mendoja shpesh të isha pjesë e Kombëtares. Jam e lumtur që luaj për Shqipërinë.

Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin ?
Sakrificën më të madhe po e bëj aktualisht, pasi po qëndroj larg familjes për të qenë pjesë e futbollit.

Çfarë synimi ke për të ardhmen?
Ëndrrën e vogël, siç ju thashë më sipër, e kam arritur, duke qenë pjesë e ekipit Kombëtar. Tani synoj të arrij Kombëtaren A dhe shpresoj që sa më shpejt të bëhem pjesë. Po punoj fort, që pse jo, të aktivizohem edhe në një kampionat të huaj.

Si e vlerëson faktin që Federata Shqiptare e Futbollit po i jep prioritet futbollit të femrave?
E vlerësoj pozitive, sepse që të rritet niveli i futbollit të femrave, duhet të ketë masivizim. Dhe pa mbështetjen e Federatës, vështirë të arrihet masivizimi.

Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?
Në Kombëtaren shqiptare, idhulli im është Ermir Lenjani, ndërsa në botë, futbollisti im i preferuar është Lionel Messi.

Çfare mesazhi i jep vajzave që i thuhet se futbolli është vetëm për djem?
Mesazhi im është të mos mërziten nga paragjykimet, por të vazhdojnë të luajnë futboll dhe të ndjekin ëndrrat.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.