Ilir Daja i dha fund aventurës së tij te Ballkani. Pasi fitoi gjithçka që mund të fitonte në krye të pankinës së klubit nga Theranda, Daja është gati të provojë një sfidë të re në karrierën e tij. Trajneri kryeqytetas ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”. Ai ka falenderuar klubin Ballkani, tifozët, lojtarët dhe mediat në Kosovë.
“E dashur familja e madhe dhe prestigjoze “BALLKANI”! I keqardhur kam pranuar faktin, se është momenti, që rrugët tona pas 973 ditësh të vrullshme, të jashtëzakonshme, emocionuese dhe mbi të gjitha me rezultate historike, të ndahen! Në këtë moment do të doja të përqafoja dhe falenderoja secilin nga ju që e beri aventurën time në Suharekë më të mirën në aspektin njerëzor dhe profesional, duke filluar nga presidenti Arsim Kabashi, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij, secilin nga anëtaret e stafit tim teknik, çdonjërin nga futbollistët, çdo tifoz të Ballkanit, veçmas “Xhebrailat”, çdo qytetar të Suharekës, falenderime dhe mirënjohje pa fund.
Kam një falenderim, gjithashtu për opinionin e gjerë sportiv të Kosovës, çdo rival tonin në fushën e lojës dhe në tribuna, secilin nga përfaqësuesit e medias dhe çdo studio televizive. Ne jemi bërë më të fortë, më të pjekur, më profesionistë, falë edhe rivalitetit dhe kontributit tuaj! Largohem nga Suhareka shumë krenar për çdo ditë të punës sime aty, për çdo fitore, për çdo trofe, për çdo sukses në garat europiane!
Pafundësisht mirënjohës për të gjithë, jashtëzakonisht i lumtur në qytetin dhe klubin ku erdha si mysafir dhe largohem i përmbushur dhe ndjesinë e një pjesëtari të familjes së madhe “BALLKANI”, së cilës i uroj dhe dëshiroj suksese të reja dhe më të medha! Faleminderit Ballkani”, ka shkruar Ilir Daja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/