Hysaj do mbyllë kapitullin e tij te Napoli në fund të këtij sezoni, por kjo nuk ka ndikuar aspak te ai në seriozitetin dhe angazhimin me klubin. Pas fitores kundër Juventusit mbrojtësi shkodran hyn menjëherë në fushë dhe bashkohet me Gatuzon, duke festuar kështu 3 pikë aq të rëndësishme për skuadrën.
Këtë fakt e nënvijëzon edhe menaxheri i tij, i cili në një prononcim për “Calcionapoli24.it”, shprehet se Hysaj është tepër i lidhur me fanellën e Napolit. Megjithatë rrugëtimit të tij me të kaltrit do i vijë fundi më 30 qershor, kur skadon kontrata mes palëve.
“Elseid Hysaj do të jetë i disponueshëm për dy javë. Fakti që ai hyri në fushë për të festuar fitoren e bën të qartë se sa i lidhur është me fanellën e Napolit, pavarësisht se kontrata është duke i skaduar. E njëjta gjë vlen edhe për Maksimoviç. Hysaj është në muajt e fundit në Napoli. Aventura e tij do të përfundojë në 30 qershor”, ka thënë Mario Xhufredi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/