Sfida me Partizanin është nga ato që duhet fituar dhe drejtori Haris Fakiç ka shumë besim se Skënderbeu do të bëjë lojën e vetë e do të marrë maksimumin
Leonard Trebicka
Për drejtorin sportiv të Skënderbeut, Haris Fakiç, barazimi me Kamzën ishte thjesht një hap i gabuar dhe asgjë më shumë. Ai nuk dëshiron ta dramatizojë situatën dhe beson se skuadra do të reagojë si duhet në ndeshjen e nesërme me Partizanin. Fakiç thekson mes të tjerash në intervistën e mëposhtme për “Sport Ekspres” se presioni është mbi kundërshtarin dhe se Skënderbeu, duke dhënë maksimumin në fushë dhe me mbështetjen e tifozëve, do të marrë 3 pikë në këtë ndeshje.
– Haris, dy javët e para kanë kaluar dhe Skënderbeu ka 4 pikë. Ju dalin llogaritë?
– Normalisht, na mungojnë 2 pikë në llogaritë tonë, sepse jemi skuadra, që duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet, por në asnjë vend nuk ndodh diçka e tillë. Gabuam me Kamzën dhe ai barazim duhet të jetë një mësim dhe motiv plus për vazhdimin e kampionatit. Pikët fitohen në fushë, por është vetëm fillimi e kampionatit dhe nuk duhet bërë dramë, pasi ka edhe shumë ndeshje për të luajtur. Skuadra po kalon edhe një periudhë, siç e dini edhe ju, shumë të ngarkuar. Do të përmirësohemi.
– A mund të quhet një hap i gabuar ai ndaj Kamzës, apo janë gjëra që ndodhin për shkak të lodhjes së madhe?
– Hap i gabuar po, por nuk është “alarm”. Jemi në një ritëm shumë të mirë dhe ai barazim nuk do të thotë asgjë. Përkundrazi, mendoj se do na ringjallë. Luanim me një skuadër, që është ngjitur në Superiore dhe jepte 100% prej vetes. Në një rast bëri një gol.
– Pikët e lëna në këtë moment mos ndoshta do t’i kushtojnë Skënderbeut në vazhdim?
– Çdo pikë është e rëndësishme, por gabime do të bëhen, siç do të bëhen edhe nga të tjerët. Sa do na kushtojë ai barazim dhe gabime të tjera, llogaritë i bëjmë në mes dhe në fund të kampionatit. Do të mundohemi të bëjmë sa ma pak gabime rrugës, sepse duam ta fitojmë titullin, prandaj na detyron objektivi të jemi shumë të përqendruar në çdo ndeshje.
– Këtë të shtunë vjen superndeshja në Korçë ndaj Partizanit. Si do ta komentonit?
– Super ndeshje, por luhet vetëm për 3 pikë, jo më shumë. Them se është shumë herët dhe kjo ndeshje është interesante, sepse përballemi me një rival për titull, që ka ambicie. Për ne është një test në lidhje me grupin që kemi këtë edicion dhe objektivat tona.
– Një ndeshje që vlen vetëm tri pikë për ju, asgjë më shumë se kaq?
– Na intereson vetëm 3-pikëshi dhe kemi mundësi ta fitojmë të shtunën, nuk ka rëndësi si do të luajmë.
– Partizani ka vetëm një pikë dhe do të kërkojë maksimumin në stadiumin “Skënderbeu”…
– Partizani ka llogaritë e veta, por ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të kërkojmë maksimumin në këtë ndeshje,
– Ndërkohë, duhet të mendoni dhe për Jong Bojs, kundërshtarin e mesjavës së ardhshme, më pas transferta e Kukësit. Ndeshje shumë të vështira, apo jo?
– Po, në një kohë të shkurtër kemi disa ndeshje të vështira. Eshtë një test i bukur, pasi jo shumë larg në kohë kaluam një sfidë si skuadër. Futbolli është kështu dhe mendoj se gjithçka është e mundur për Skënderbeun.
– Në Europa League, sa shanse ka skuadra juaj të renditet të paktën në vend të dytë të grupit B?
– Për vendin e dytë mendoj se vendos ndeshja radhës me Jang Bojsin, ku, nëse fitojmë, jemi pretendentë seriozë. Do të shtohet besimi për fitore dhe më pas do të rriten ambiciet për një tjetër arritje historike. Nuk jemi një kundërshtar, që mundemi lehtë dhe këtë e vërtetuam më herët. Prandaj jemi këtu ku jemi. – Për të t’u rikthyer te ndeshja e së shtunës, cila është këshilla juaj për futbollistët?
– Duhet vetëm të japim maksimumin.
– Së fundi, na jepni një parashikim për rezultatin e Skënderbeu-Partizani?
– Nuk parashikoj dot një ndeshje futbolli për arsye profesionale. Mendoj se nuk jemi në presion, janë ata dhe gjithçka është e hapur.