Astrit Hafizi ka sulmuar rëndë presidentin e Tiranës, Refik Halilin. I ftuar në emisionin e “Supersport” pas përfundimit të takimit mes bardhebluve dhe Laçit ka pasur shumë akuza në drejtim të Halilit.
Kështu Hafizi është shprehur se presidenti i kampionëve të Superiores është i vetmi përgjegjës për situatën e vështirë që po kalon klubi, pasi nuk i lë të qetë trajnerët që të punojnë. Kur është folur për Grent Halilin, është bërë edhe një paralelizëm me djalin e Maldinit që është pjesë e Milanit.
“Situata është e qartë me atë që ne kuptojmë për largimin e Dedes. Trajneri ka menduar që të aktivizoj Kukën, ndërsa Halili ka dashur Danson. Kjo është një tregues i qartë se presidentët nuk i lejojnë trajnerët që të bëjnë punën e tyre në ekipe, që të jenë të qetë. Unë them se përgjegjësi kryesor aty është Halili.
Keni 15 vite që hiqni trajnerë, nuk lini njëri që të punojë në një mënyrë ose në një tjetër. Kjo nuk është normale, klubi do të vuajë gjithmonë. Faji është vetëm i Halilit, nuk është nevoja që të flasim rrotull e rrotull. Do dërgohet Tirana atje ku nuk mban më. Halili tha se nuk do të marrë më trajnerë që janë opinionistë në televizone. Ironi pa kuptim kjo pasi nga këtu kanë dalë trajnerë shumë të mirë si Ahmataj, Shkëmbi e Bulku. Këta duan që ta bëjnë formacionin sipas qefit të tyre. Nuk mund ta mbash dot peng Tiranën.
Djali i Halilit futet dhe largohen trajnerët? Është e thjeshtë fare. Grenti është futur që të luajë kur nuk e ka merituar, pasi ka të tjerë më të mirë. Nëse e fut në lojë, atëherë nuk ke rezultate. E kur nuk ka rezultate, e pëson trajneri. Po ju keni te Milani djalin e Maldinit, që është emër i madh në të gjithë Europën, e kur vjen puna e aktivizojnë në minutën e 89. Po përse budallenj janë ata? Po nëse vazhdojmë që ma ka lënë klubi gjyshi e baba nuk kemi gjëra të mira”, ka thënë Hafizi. /Sport Ekspres/