Fitorja e Kukësit ndaj Tiranës në shifrat 1-2 krijoi edhe një ekip tjetër në Superiore që kërkon të ngrejë “titullin moral” të këtij sezoni. Pra nga njëra anë do të kemi bardheblutë si kampionët nëse gjithçka përfundon pa surpriza, ndërsa nga ana tjetër verilindorët që i kanë mundur tre herë në katër takime.
Për këtë arsye janë ngritur edhe pikëpyetje nga ana e gazetarëve: “Po atëherë, përse Tirana e meriton titullin?”. Idriz Batha ka zgjedhur që t’i përgjigjet teksa ishte i ftuar në emisionin “Fair Play” që drejtohet nga Enkeleida Zeko.
“Shikoni këto janë diskutime kafesh që nuk bëhen. Kur isha unë te Partizani me katër ekipet që ishin sipër nesh, ne në rastin më të keq, pra në minimum, i kishim marrë ekipit kundërshtar 10 pikë. Por kampionati ka shumë skuadra dhe ne nuk u shpallëm kampion. Pse faji im është që Kukësi nuk mund dot Luftëtarin? Epo mirë, hajde ta bëjmë pastaj kampionatin me dy ekipe. Kërcënim nuk kemi ndierë kurrë nga Kukësi dhe ne jemi ekipi më i mirë në Shqipëri. Sa i përket të ardhmes, klubi është shfaqur gati dhe unë po ashtu për të rinovuar. Mund të lëviz nga Tirana vetëm nëse do të largohesha nga Shqipëria, por deri tani nuk ka asnjë ofertë konkrete”, tha Batha. /Sport Ekspres/