Kombëtarja shqiptare e nën 17 vjeçarëve ka zhvilluar këtë të mërkurë ndeshjen e parë kualifikuese të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian kundër Italisë. Kuqezinjtë ishin të pafat në këtë sfidë të parë, teksa u mundën me rezultatin final 5-0.
Trajneri i ekipit Kombëtar, Ervin Bulku e nisi lojën me këtë formacion: Kiri, Muca, Haxhari, Kurti, Arlind Kurti, Ruci (Ageja), Kasmollari, Syla (Dama), Fikaj, Kasa (Shtraza), Sulejmani (Rama).
Shqipëria e nisi mirë lojën, teksa që në minutat e para u tregua e rrezikshme, por një pakujdesi do t’i dërgonte kundërshtarët në avantazh në minutën e 9-të të takimit. Dhjetë minuta më vonë, Italia do të shënonte dhe golin e dytë, ndërsa në pjesën e mbetur të 45 minutave të para, kuqezinjtë tentuan të ngushtojnë rezultatin, por nuk ia dolën. Me fillimin e pjesës së dytë, trajneri Bulku bëri disa ndryshime në formacion, por Italia do të shënonte edhe tre gola të tjerë, duke vulosur rezultatin në 5-0.
Kjo ishte ndeshja e parë e Shqipërisë U-17 në këto eliminatore që zhvillohen në Irlandën e Veriut, teksa më 30 tetor kuqezinjtë do të luajnë ndaj Skocisë, ndërsa më 2 nëntor do të luajnë ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj Irlandës së Veriut.