Europiani nuk ishte fat! Polonia shkon në Gjermani, tre Kombëtare nga grupi i Shqipërisë do të luajnë në Euro 2024

Shqipëria siguroi për të dytën herë në historinë e saj kualifikimin për në Kampionatin Europian. Kuqezinjtë e përmbyllën fushatën kualifikuese në vendin e parë në grup, ku përballë kishte dy Kombëtare të forta si Republika Çeke dhe Polonia. Një pjesë e opinionit sportive ishin të mendimit se këto dy ekipe ishin në një formë të dobët dhe kalimi në Europian ishte edhe një çështje fati për ekipin tonë kombëtar.

Por, dyshimet duhet të marrin fund. Polonia bëhet skuadra e tretë nga grupi i Shqipërisë që ka siguruar një biletë për në Gjermani. Polakët kanë eliminuar sot Uellsin, i cili në fazën kualifikuese u rendit i treti pas Turqisë dhe Kroacisë. Bardhekuqtë janë kualifikuar mbrëmjen e sotme pas ekzekutimit të 11 metërshave, ndërsa në gjysmëfinale të “play off”-it shkatërruan me shifrat 5-1 Estoninë. Ndërkohë, Polonia do të përballet në Euro 2024 me Holandën, Austrinë dhe Francën./Halit Delibashi-Sport Ekspres/