Europiani 2022/ Një i ftuar special te Kombëtarja U-19 në prag të ndeshjes me Francën

Kombëtarja shqiptare U-19 ka nisur që prej ditës së diel grumbullimin në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Europian 2022. Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu është shortuar në të njëjtin grup me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pasi bëri publike listën e 22 futbollistëve të grumbulluar për këto ndeshje, tekniku Cungu ka nisur menjëherë nga puna me kuqezinjtë, të cilët do të tentojnë kualifikimin dhe të marrin vendin e parë në grupin F.

Në stërvitjen e paradites së të hënës, ekipit ka pasur edhe një vizitë të veçantë, pasi në kompleksin Tropikal i është bashkuar edhe trajneri i Kombëtares A, Edoardo Reja, i shoqëruar nga anëtarët e stafit teknik. Italiani ka pasur një diskutim me trajnerin Cungu dhe skuadrën kuqezi mbi këto ndeshje dhe mbi rëndësinë që kanë këto ndeshje. Ai u ka kërkuar lojtarëve që ta marrin sa më seriozisht dhe të punojnë fort e me përkushtim për të vazhduar më tej rrugëtimin në radhët e ekipeve Kombëtare.

Reja ka këshilluar lojtarët që të impenjohen maksimalisht për të krijuar një grup të mirë dhe të pretendojnë për të marrë rezultate sa më pozitive. Gjithashtu, trajneri i Kombëtares i ka siguruar të rinjtë se ata janë nën monitorim të vazhdueshëm nga specialistët e futbollit në FSHF dhe kanë të gjithë vëmendjen e duhur. Shqipëria U-19 do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Francës më 10 nëntor në stadiumin “Egnatia”, ndërsa dy ndeshjet e tjera kundër Serbisë më 13 nëntor dhe Maqedonisë së Veriut më 16 nëntor do t’i luajë në Elbasan Arena.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *