Europian i bukur…Europian! Një tjetër talent i madh ndërron fanellë, Luis Hasa lë Italinë dhe vjen te Shqipëria

Një tjetër lajm i madh vjen për Shqipërinë, pas këtij kualifikimi me Silvinjon në Europianin e Gjermanisë, janë të shumtë lojtarët shqiptarë që po heqin fanellat e shteteve të tjera dhe po veshin atë të Shqipërisë. Këtë herë bëhet fjalë për një lojtar me shumë peshë, Luis Hasën.

Ky i fundit e nxori Italinë U-19 si fituese të Europianit U-19. Në finale do të jepte assist në fitoren 1-0 kundër Portugalisë, ndërsa më herët kishte dhënë dy assist edhe në fitoren e gjysmëfinales kundër Spanjës, që përfundoi 2-3.

Dhe për të kuptuar vlerën e këtij lojtari në këtë fitore të madhe të Italisë, mjafton fakti që UEFA e shpalli Luis Hasën si lojtarin më të mirë të turneut. Ky futbollist është pjesë e të rinjëve të Juventusit dhe ka debutuar me ekipin e parë.

Ai quhet si talenti më i madh i bardhezinjëve që vjen nga moshat dhe ka luajtur për të gjitha grupmoshat e “Axurrëve”, deri në U-21. Por deri këtu mjafton, tani është momenti që Hasa të vishet kuqezi. Këtë e ka thënë kreu i FSHF, Armand Duka, në një intervistë për mediat italiane.

“Luis Hasa do të jetë një lojtar i Shqipërisë, ai nuk do të luajë me Italinë”. Kaq mjafton për të zyrtarizuar afrimin më të ri te Shqipëria, te një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit në Itali. Disa ditë më parë Alban Bushi la të kuptohet se Hasa do të vinte te Shqipëria vetëm nëse merrej nga Kombëtarja A. Tani mbetet të shihet nëse ky lojtar 20-vjeçar do t’i bashkohet Shqipërisë A apo Shqipërisë U-21.

Rreth një vit më parë kemi diskutuar dhe folur në lidhje me këtë temë edhe me babain e Luis Hasës, Arbeni, i cili tregoi më tepër rreth historisë së tij.

“Kisha dy vëllezër të tjerë në Itali që më pritën, shkova tek ata. Më pas mora edhe familjen. Puna e parë që nisa këtu ishte ajo e ndërtimit. Pak vështirësi kishim në fillim pasi edhe vëllezërit e mi vetëm një vit kishin në Itali para se të shkoja unë. Nuk na ka pritur askush me lule këtu sigurisht, sakrifica ka pasur. Edhe sot e kësaj dite punojmë bashkë, me vëllezërit. Luisi? E futa në fillim në stërvitje vetëm që të merrej me një aktivitet sportiv.

E kishim kampin sportiv afër shtëpisë. Kur ishte 7-vjeç e pa një nga vëzhguesit e Juventus. Shkuam për të bërë provimin një ditë. Që atëherë nuk e lëshuan më, thanë ky është lojtari ynë dhe pikë. Nga mosha 8-vjeç e deri tani është pjesë e Juventusit, se në moshën 8-vjeç bëhet regjistrimi i parë.

Në fillim nuk mendova se mund të arrinte shumë lart, kur ishte shumë i vogël. Pastaj kur e pashë se mund të bëhej një lojtar i mirë, ia vlente çdo gjë. Në disa raste lija edhe punën, më mbulonte vëllai dhe unë ndiqja Luisin. Kur ishte 13-14 vjeç, aty po e shihnim me një sy tjetër Luisi, që do të bëhej dikushi. I ka bërë të gjithë rolet e mesfushës, mesfushor qendre, majtas ose djathtas, por edhe mbrapa sulmuesit kryesor.

Shqipëria? Deri tani nuk kemi pasur një ofertë zyrtare nga Shqipëria. Sigurisht që kemi folur me ndonjë vëzhgues të Shqipërisë që rri në Itali, por nuk është se kemi pasur ofertë zyrtare. Luisi luan te Italia për momentin, por nuk është e thënë se do të qëndrojë përgjithmonë te Italia dhe se do të ndahemi përfundimisht nga Shqipëria. Nuk e dimë akoma se për momentin jemi të fokusuar te klubi dhe më vonë do të shohim për Kombëtaren që do të zgjidhet përfundimisht. Është i vogël, 19-vjeç, ka ende kohë”, tha Arbeni. Megjithatë tani Luis Hasa është zyrtarisht i Shqipërisë. /Sport Ekspres/