Europa League do të quhet Unai Emery League, fiton një tjetër trofe me Aston Villa

Mbrëmja e djeshme në Stamboll do të mbetet gjatë në memorien e tifozëve të Aston Villa, pasi Aston Villa u kurorëzua kampione e Europa League pas një fitoreje madhështore 3-0 kundër Freiburgut. Skuadra angleze dhuroi një shfaqje absolute dominimi, duke i dhënë fund një pritjeje 44-vjeçare për një trofe të madh europian. Golat e shënuar nga Youri Tielemans, Emiliano Buendía dhe Morgan Rogers vulosën një sukses historik që konfirmon rikthimin e klubit në elitën e futbollit kontinental.

Megjithatë, përtej festës së lojtarëve në fushë, vëmendja e të gjithëve u kthye nga arkitekti i këtij suksesi: Unai Emery. Trajneri spanjoll vërtetoi edhe një herë se është specialisti absolut dhe i padiskutueshëm i këtij kompeticioni. Me këtë triumf, Emery shkroi historinë duke arritur shifrën e jashtëzakonshme prej 6 finaleshe në karrierën e tij në Europa League.

Statistikat e tij janë thjesht të frikshme: nga gjashtë finale të luajtura, ai ka pësuar vetëm 1 humbje dhe ka siguruar plot 5 trofe të fituara. Ky sukses i pestë personal jo vetëm që e ngjit atë në fronin e trajnerëve më të suksesshëm në Europë, por tregon se Emery zotëron “kodin sekret” të këtij turneu, duke shndërruar çdo skuadër që drejton në një makineri të pandalshme fituese. /Sport Ekspres/