Ernest Gjoka nuk do të jetë më pjesë e Shkëndijës së Tetovës. Trajneri shqiptar ka ndërprerë bashkëpunimin me kuqezinjtë e Tetovës, ndërsa marrëveshja ishte e dyanshme. Gjithçka lidhet me paraqitjen në Europë teksa Shkëndija është larguar nga kompeticionet europiane. Për këtë arsye është vendosur që Gjoka të mos vazhdojë më në të ardhmen në krye të kësaj pankine. Ndërkohë nuk duhet harruar fakti se me Ernestin në krye do të fitohej kampionati shumë javë përpara fundit të tij, ndërsa gjithashtu tekniku shqiptar u vlerësua si më i miri në Maqedoninë e Veriut sa i përket sezonit që lamë pas.
‘Tekniku tiranas nuk është më shef i stafit teknik i kuqezinjëve, pasi me marrëveshje të dyanshme ndërpritet bashkëpunimi. KF Shkëndija komunikon ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Ernest Gjoka. Kryesia dhe tekniku tiranas me marrëveshje të dyanshme kanë vendosur se ndarja në këtë moment është në interes të të dyja palëve.
KF Shkëndija me këtë rast falemenderon Ernest Gjokën dhe ndihmësin e tij Fatjon Tafaj për kontributin e dhënë në periudhën që ishin pjesë e kuqezinjëve, duke drejtuar skuadrën drejt titullit kampion i vendit në sezonin garues 2020/2021.Familja kuqezi u uron shëndet dhe gjitha të mirat në të ardhmen. Ditëve në vazhdim klubi do të vendos për trajnerin e ri të cilit do t’i besohet pankina për sezonin 2021/2022”, shkruhet në njoftimin e Shkëndijës. /Sport Ekspres/