Sa herë keni parë Lojëra Olimpike Dimërore? A keni menduar ndonjëherë “Këtë e bëj edhe unë”? Me llafe e themi, por me vepra nuk guxojmë ta bëjmë, sepse për të shkuar në Olimpiada duhet talent, shumë punë dhe rezultate.
Me sa duket, asnjërën prej këtyre nuk e ka Elizabet Suoni, një skiatore amerikane që në mënyrë të pabesueshme ka garuar për Hungarinë në Pjeongçang (edhe për Venezuelën më parë) dhe është kthyer në heroinën e popullit të thjeshtë, që ëndërron të bëhet i famshëm pa bërë asgjë.
33-vjeçarja, që një zot e di si është bërë skiatore profesioniste dhe si është federuar për Hungarinë, garoi të hënën në një kompeticion të veçantë të skive, “halfpipe”, ku skiatori garon në një pistë në formën e një tubi të prerë përgjysmë. Në kualifikuese Elizabet nuk bëri asgjë nga ato që konsiderohen si normale në këtë disiplinë, asnjë kërcim a rrotullim në ajër, ndërsa nga fillimi deri në fund kaloi nga një anë në tjetrën të pistës dhe shkoi deri në fund pa u rrëzuar. Kjo ishte arritja e saj: nuk u rrëzua! E si mund të rrëzohej, kur nuk bëri asgjë?
Njerëzit kujtuan se kishte ndonjë gabim, se ndoshta kishte garuar sportistja e gabuar, por jo, ishte Suoni, që në fund të garës buzëqeshte e lumtur, edhe pse e dinte mirë që do të dilte e fundit në renditje, me më pak pikë se skiatore që u rrëzuan në kualifikuese.
Si shkoi ajo në Olimpiada? E vërteta: një kombinim mashtrimi, dredhish dhe shfrytëzim i një sistemi difektoz. Suoni zbuloi se në këtë lloj sporti, “halfpipe”, ka shumë pak sportiste, ndërsa për të shkuar në Olimpiada mjafton të renditesh në 30 vendet e para në disa gara për Kupën e Botës. Suoni u regjistrua në gara me më pak se 30 atletë pjesëmarrës dhe doli e fundit në çdo garë, por gjithmonë mes 30 të parave!
Suoni e arriti qëllimin e vet, u bë e famshme. E ka tentuar edhe më parë, ka garuar kundër Arnold Shvarcenegerit për t’u bërë Guvernatore e Kalifornisë!
Çmenduri totale, në Hungari me sa duket federata e skive merret me ndonjë sport tjetër, ndoshta kush kthen më shumë gota gjatë orarit të punës.
Reagimi i Federatës Hungareze: “Situata erdhi kryeisht për shkak të sistemit të kualifikueseve dhe pjesëmarrjes së paktë në këtë sport. Nuk e kemi parë Elizabetën në veprim prej një viti, nuk e dinim çfarë niveli kishte realisht. Ajo i pagoi nga xhepi i vet përgatitjet dhe kualifikueset”.
E MORËT VESH? Nëse keni para, bridhni botën dhe garoni në kompeticione skish me më pak se 30 sportistë në garë, automatikisht shkoni në Lojërat Olimpike!!!