E gjithë Franca ndodhet nën këmbët e tij. Kilian Mbape po përjeton një sukses të jashtëzakonshëm në karrierë, teksa vetëm në moshën 24-vjeçare arrin të bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për PSG-në. Sulmuesi francez ka shënuar sot golin e 201-të në fitoren 4-2 kundër Nantës.
Goli i shënuar në minutën e 92-të të takimit ka shijuar ndryshe për Mbapenë, pasi vjen me një rekord nga pas. Tashmë futbollisti ka hyrë në librin e historisë së PSG-së. Në prononcimin e tij pas ndeshjes, Mbape është shprehur:
“Është një privilegj të luaj për PSG-në. Është e veçantë të jem lojtar i PSG-së, pasi ky është qyteti im. Jam këtu për të shkruar historinë, në Francë, në kryeqytet, në vendin tim, në qytetin tim. Është bukur, por unë dua gjithashtu edhe arritje ekipore“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/