Vedat Muriqi po e përdor fuqinë e tij në Spanjë si një ambasador i Kosovës. Në fakt, kjo është fuqia e futbollit dhe këtë e tregoi Europiani i Francës për Shqipërinë ku lojtarët ishin më të fortë se vetë ambasadorët tanë për të rregulluar imazhin e vendit.
Vetëm dy gola larg Karim Benzema në La Liga, në vendin ku nuk njihet Kosova. Ky është rasti i Muriqit që në “Ultimahora” e ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij dhe e ka cilësuar si racizëm.
“Më shqetëson shumë sepse kjo do të thotë se familja ime ose miqtë nuk mund të vijnë këtu. Duhet të marrësh vizë nga Maqedonia e Veriut, por del se vizat janë vetëm për maqedonasit. Unë pata shumë probleme me lejen e qëndrimit dhe arrita në një pikë që thashë: Do të flas me klubin dhe po iki. Në fund u rregullua”.
Gjithashtu nuk më pëlqen që La Liga nuk na njeh. Një gjë është politika dhe një tjetër, sporti. Pastaj flitet shumë për ‘Jo për racizmin’, por ky është racizëm. Sporti duhet të shërbejë për të bashkuar njerëzit, jo për t’i ndarë ata”, tha Muriqi. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/