“Është një zakon shqiptar”! Mbrojtësi i Shqipërisë që do të luajë kundër West Ham i habit në Angli: Mbaj hudhër me vete, shokët e ekipit po talleshin

Geraldo Bajrami ka qenë një tjetër element që ka spikatur së tepërmi te Shqipëria U-21. I rritur te Birminghami dhe me shiritin e kapitenit tek të rinjtë, karriera e këtij mbrojtësi me shumë potencial për të ardhmen nuk vazhdoi ashtu siç pritej. Aktualisht Bajrami është pjesë e Kiddermanster, që luan në National League North, e thënë më thjeshtë, Kategoria e 6 e futbollit në Angli. Por lojtari shqiptar ka sërish shansin e artë për t’u ngritur në karrierë.

Mbrojtësi 22-vjeçar ishte më i miri te Kiddermanster në mrekullinë që i habiti të gjithë në FA Cup. Skuadra e tij arriti që të mposhte kundërshtarët e Championship, Reading, duke i eliminuar në sfidën që Bajrami e luajti për 90 minuta. Tani mbrojtësin shqiptar e pret një ekip i Premier League në përballjen direkte pas 3 ditësh, West Ham. Nëse Bajrami do të ketë një tjetër performancë të nivelit të lartë, me siguri që karriera e tij do të ndryshojë. E për ta bërë të mundur gjithçka, lojtari i ka habitur të gjithë shokët e tij te Kiddermanster pasi mban një hudhër me vete gjatë ndeshjes.

“Djemtë më kanë tallur për hudhrën. E kam vendosur në atleten time për të mbajtur larg syrin e keq dhe ata që dëshirojnë të këqijat për mua. Është një zakon shqiptar, e përdor për të mbajtur larg energjinë negative. Mbrojtësi ynë i majtë, Caleb Richard, më pyeti se pse e përdora hudhrën në ndeshjen me Reading. Unë ia shpjegova të gjitha arsyet. Tani më pyeti nëse mund t’i marrë edhe atij një sepse funksionoi shumë mirë. Triumfi ndaj Reading? Nëna ime ishte në tribunë dhe tha se për pak i ra të fikët në bilbilin e fundit.

Kjo është ajo që do të thotë shumë për ne ne. Tani vjen West Ham dhe të them të drejtën, nuk e kemi problem. Ne kemi luajtur gjithsesi përballë të gjitha llojeve të sulmuesve; lojtarë të shpejtë, me aftësi të mëdha, lojtarë me përvojë. Do të dimë sesi t’ia dalim edhe këtë herë. Kur isha i ri, shikoja FA Cup dhe pyesja babin tim se cilët ishin skuadrat që nuk njiheshin. Kjo ishte ajo që kishte të bëjë me Kupën e FA…përmbysjet. Ne kemi fituar të drejtën për të qenë në TV këtë herë, kështu që shpresojmë se mund të tregojmë përsëri se për çfarë jemi aty”, tha Bajrami. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *