Elseid Hysaj ka dalë përkrahë Edi Rejës në konferencën për shtyp një ditë përpara miqësores kundër Spanjës. Mbrojtësi shqiptar u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ndërsa vë theksin te fakti se do të jetë një test i vërtetë për kuqezinjtë. Spanja është një nga skuadrat që mban më tepër topin dhe zhvillon një lojë të shpejtë, çfarë e bën një Kombëtare mjaft të vështirë për ta pasur kundërshtar në fushën e lojës.
“Normalisht që është një ndeshje për ta luajtur. Të gjithë lotjarët duan të jenë në fushë për këtë ndeshje. Për ne është një ndeshje me karikim të madh, sepse luajmë kundër Spanjës, një ekipi të madh. Shpresoj që të marrim një rezultat të mirë për ne dhe për të ardhmen tonë. Dihet se Spanja është një nga skuadrat më të mira për mbajtjen e topit dhe lojën e shpejtë. Kemi provuar këto ditë dy gjëra që duhet të bëjmë një fushë. E para do të rrimë mbrapa duke pritur dhe pastaj nëse shohim se është një rast i duhur për të sulmuar do të shkojmë përpara. Besoj do jetë një ndër testet më të vështira për mbrojtjen. Për ne do jetë një provë e madhe. Atmosfera ishte shumë e mirë. Po na mungonin njëri-tjetri. Kishim kohë pa u takuar“, ka thënë Elseid Hysaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/