“Është një nder i madh të jem me Shqipërinë në EURO24”! Silvinjo: E dimë që stadiumi nesër do të jetë i mbushur nga shqiptarët, është përgjegjësi…

Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë dalë në konferencën për shtyp para ndeshjes me Italinë. Kjo përballje do të zhvillohet në mbrëmjen e nesërme dhe do të jetë ndeshja hapëse për kuqezinjtë.

Silvinjo: “Unë jam shumë i gëzuar që jam këtu, është një nder i madh që të jem me Shqipërinë në EURO24. Është fantastike që Gjimshiti që nuk ishte në EURO16, të jetë pjesë e Europianit dhe të shijojë këtë moment. Ne jemi në një grup të vështirë, ju e dini, por do të luftojmë për çdo pikë dhe që të kemi një kampionat fantastik europian. Formacioni është gati, më vonë do të ndajmë mendjen për 2 ose 3 lojtarë që janë në balotazh. E dimë që ka shumë shqiptarë në botë, gjithandej. Është një përgjegjësi e madhe që të përfaqësojmë këta njerëz të mrekullueshëm. E dimë që stadiumi do të jetë i mbushur vetëm nga shqiptarët dhe është përgjegjësi e madhe për ne. Ne e dimë që Italia kur hyn në fushë, do të fitojë kompeticionin. Ne do të futemi për të marrë maksimumin dhe për të dalë me pikë”.

Berat Gjimshiti: “Cdo ndeshje është e vështirë dhe e rëndësishme, por ndeshja me Italinë mund të jetë vendimtare dhe të ndryshojë rrugëtimin. Nëse e fillojmë me këmbën e mbarë, mund të na jap më shumë besim për vazhdimësinë. Skamakën e njoh mirë, kemi një vit që stërvitemi bashkë. Por që nga koha kur kemi festuar trofeun e Europa League nuk kemi folur më. Nuk po luan Gjimshiti-Skamaka, por Shqipëri-Itali. I kemi parë ndeshjet e fundit të Italisë në miqësore dhe trajneri na ka treguar forcën e tyre dhe ku duhet të kemi kujdes. Ne flasim shqip në shtëpi, prindërit tanë janë rritur në Shqipëri dhe në Kosovë, të gjithë jemi shqiptarë. Edhe pse kemi lindur në shtete të tjera, ne kemi ndjekur traditat dhe zakonet tona, të shqiptarëve, për këtë arsye nuk ka qenë e vështirë që të zgjedhim Shqipërinë”.