“Është mesazhi madhor që ne presim”, Daja për vendimin e Gjykatës Federale: Rikthehemi ai Skënderbeu i madh

Skënderbeu i këtij viti patjetër që meriton duartrokitje. Viti 2020 i gjeti në një formë mjaft të mirë juglindorët. Edhe pse pa asnjë objektiv, duke qenë se janë pezulluar për 10 vite nga pjesëmarrja në kompeticionet europiane, Skënderbeu nuk është ndalur por vijon të mbetet në pjesën e sipërme të klasifikimit. Një meritë e madhe këtu shkon për strategun Ilir Daja, i cili tregon edhe një herë tjetër se është ndër më të mirët në qarkullim në rolin e tij.

Në prononcimin për mediat përpara takimit të nesërm kundër Laçit, trajneri kryeqytetas i është përgjigjur edhe pyetjes në lidhje me vendimin e Gjykatës Federale të Zvicrës. Këta të fundit kanë të drejtën për të hequr pezullimin ose për ta zbutur atë dhe një vendim i tillë sipas Dajës do të rikthente përsëri Skënderbeun e madh të 10 viteve të fundit.

“Ai është mesazhi madhor që ne presim për t’u rikthyer edhe një herë te ai cikli i Skënderbeut të madh të këtyre 10 viteve të fundit. Një vendim i Gjykatës Federale të Zvicrës do të thoshte një rikthim i atij Skënderbeu. Kështu që ajo është gjëja më maksimale që presim të gjithë ne të gjithë këtu në Korçë dhe jo vetëm në Korçë, por edhe futbolli shqiptar. Le të shpresojmë që të jetë pozitiv, por ne kemi për detyrë të fokusohemi te fusha e lojës pasi për këtë gjë është një zyrë juridike që merret intensivisht me problemin”, ka thënë Ilir Daja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *