Është kandidati kryesor për stolin e Napolit, eksperti italian i merkatos: Do të bllokojë shitjen e Hysajt

Vendi i Xhenaro Gatusos në krye të pankinës së Napolit është gjithnjë e më tepër në mëdyshje dhe në Itali kanë nxjerrë në dritë kandidatët e mundshëm për të marrë drejtimin e skuadrës. Një rikthim i Sarrit te të kaltrit është një lajm që po qarkullon kohët e fundit, ndërsa një “po” e tij mund ti japë një tjetër drejtim edhe karrierës së Elseid Hysajt.

Shkodranit i përfundon kontrata në verë dhe do të largohet si lojtar i lirë, por sipas ekspertit të merkatos, Alfredo Pedula, ish-trajneri i Juventusit do të bllokojë largimin e Hysajt në rast se do të emërohet trajner i Napolit. Në emisionin “Ne parliamo il monday”, Pedula shprehet se Sarri e ka dashur mbrojtësin shqiptar nën urdhërat e tij edhe në momentin kur drejtonte Chelsea-n dhe Juventusin.

“A do të vijë Sarri te Napoli vetëm në rastin e Champions League? Jo, në realitet situata është e ndryshme. Trajneri nuk e konsideron themelore kualifikimin në garën e lartë evropiane, përkundrazi ai do të vlerësojë gjëra të tjera. Duke qenë në Napoli për shumë vite, diçka duhet të shkaktohet brenda që mund ta stimulojë atë.

Për këtë arsye, nuk përjashtoj që De Laurentiis të provojë përsëri në javët e ardhshme. “Po“-ja e mundshme e Sarrit do të varet nga një numër faktorësh. Nëse trajneri toskan zbarkon në Napoli ai mund të bllokojë shitjen e Hysajt. Nuk është mister që ai u përpoq ta çonte ish-mbrojtësin e Empolit te Chelsea dhe Juventus”, ka thënë Alfredo Pedula./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *