West Ham është një ndër ekipet që ka shprehur interesimin për të blerë kartonin e Armando Brojës. Skuadra që mban vendin e 7 në renditjen e Premier League-s kërkon të përforcojë repartin e sulmit me talentin shqiptar, që po vlerësohet nga dita në ditë nga personalitete të shquara të futbllit anglez.
Së fundmi, Anton Ferdinand, një ish-futbollist i njohur i West Ham-it, i ka sugjeruar “çekiçëve” emrin e Armando Brojës. Në një intervistë për “SunSport”, Ferdinand vlerëson forcën fizike dhe aftësinë për finalizim të 20-vjeçarit shqiptar, i cili sipas tij mund të tërheqë pas vetes dy mbrojtës kundërshtarë.
“Do të doja që ne të shkojmë dhe të marrim Brojën, i cili është në Southampton në huazim nga Chelsea. Ai është emocionues. Ai mund të finalizojë. Është një djalë i ri i fuqishëm. Jo i njëjtë, por i ngjashëm me [Michail] Antonion për sa i përket pranisë dhe forcës së tij. Ai është i gatshëm të vrapojë dhe të zërë dy qendërmbrojtës dhe për mua personalisht, është dikush që West Ham duhet të kërkojë të shkojë dhe ta marrë”, ka thënë Anton Ferdinand./Sport Ekspres/