Taulant Seferi po vazhdon me ritmin që shfaqi sezonin e kaluar te Tirana. Përshtatja në Ukrainë ka shkuar më së miri, ku deri më tani numëron 11 gola të shënuar. I dyti në listën e golashënuesëve në kampionat dhe i pari në listën e Vorsklas, sulmuesi nga Kumanova po shkëlqen në elitën ukrainase.
Seferi është përzgjedhur nga Vorskla e Poltavës mes pesë futbollistëve për të shpallur më të mirin e muajit prill. Klubi ukrainas ka shpërndarë në faqen e vetë zyrtare një postim, ku fton ndjekësit të përzgjedhin njërin mes Seferit, Chelyadin-it, Kravetsit, Pavlyuk-ut dhe Stepaniukut për lojtarin më të mirë të muajit prill. Votimet zgjasin deri më 11 maj. Kujtojmë se Seferi ka shënuar tre gola në muajin e shkuar, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për Vorsklën./Halit Delibashi-Sport Ekspres/