Është frika më e madhe e Tiranës, Vincent Aboubakar tregon se nuk do t’i nënvlerësojë shqiptarët: Nuk ka ekipe të vogla, kjo është ndeshja jonë e parë

Trajneri i Beshiktashit ka folur para ndeshjes me Tiranën. Gunes kishte vlerësime të mëdha për bardheblutë, duke u shprehur se kundërsulmi i tyre është i rrezikshëm dhe njëkohësisht tregoi se shqiptarët janë më të lirshëm kur luajnë në transfertë.

“Kemi pasur një stërvitje intensive. Nesër ne do të luajmë ndeshjen e parë zyrtare. Tirana është një ekip që luan mirë në kundërsulm. Atje ka disa lojtarë që ne i njohim. Te Tirana luajnë më mirë në transfertë. Presim një ndeshje të vështirë nesër, por besojmë që kemi mundësinë dhe kualitetin për të kaluar më tej. Duam të marrim rezultate të mira në të dy ndeshjet dhe të vazhdojmë më tej”, tha Gunes.

Ngra krahu tjetër, Vincent Aboubakar, rreziku kryesor për Tiranën u shpreh se nuk do të ketë nënvlerësim në këtë përballje. “Para së gjithash dua të them se kemi pasur një kamp përgatitor shumë të mirë. Nuk ka pasur lëndime. Nesër do të luhet ndeshja e parë zyrtare e sezonit. Në futboll nuk ka mbetur asnjë ekip i vogël apo i madh, duhet ta marrim seriozisht çdo ekip. Ne duam të fitojmë ndeshjen e parë, t’i bëjmë tifozët tanë të lumtur dhe ta nisim sezonin shumë mirë.

Kjo është ndeshja e parë, do të shkojmë përpara hap pas hapi duke fituar. Ndihem shumë mirë, por futbolli është një lojë kolektive. Të gjithë bashkëlojtarët e mi janë 100% gati si unë. Duam një lojë të mirë dhe një rezultat të mirë në ndeshjen tonë të parë”, tha Aboubakar. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *