Ervis Kaja provoi vjet në janar eksperiencën e parë në Kosovë, teksa iu bashkua “kolonisë” që u transferua te Liria e Prizrenit nga kampionati shqiptar. Lojtari më një eksperiencë të madhe në futbollin tonë, ka sërish oferta nga Kosova dhe me shumë mundësi do ta vijojë karrierën andej.
“Sport Ekspres” mëson se ka përmetari rënë dakord me Feronikelin, edhe pse disa klube të tjera e kanë tentuar. Pritet që shumë shpejt të zyrtarizohet marrëveshja me klubin nga Drenasi, që sivjet do të luftojë për të fituar titullin kampion.
Në krye të Feronikelit siç dihet është trajneri Sulejman Starova, i cili e njeh 30-vjeçarin, pasi ka pasur mundësinë ta shohë në Superiore, edhe pse nuk e ka pasur nën urdhrat e tij.
Qendërmbrojtësi, i cili luan edhe si mesfushor difensiv, është aktivizuar në Shqipëri me Besën, Naftëtarin, Laçin – ku edhe ka spikatur më së shumti – Tomorin, Apoloninë, Tiranën, Dinamon dhe Korabin.