“Do jemi një skuadër më e fortë në ofensivë dhe jo vetëm. Presidenca po punon me plan”
Bernard Gjikolaj
Besëlidhja vijon stërvitjen nën drejtimin e dyshes Lani-Xhabiri në kuadër të fazës përgatitore dimërore për llogari të gjysmës së dytë të sezonit në vijim. Deri më tani, merkato e janarit ka qenë mjaft e varfër, që është mjaftuar me marrjen e sulmuesit serb Kosta Bajiç, por të martën pasdite zyrtarisht u bë pjesë e lezhjanëve edhe mesfushori shkodran Bekim Erkoçeviç që më parë ka luajtur tek Vllaznia B. Bekim Erkoceviç nuk është i panjohur për Besëlidhjen, pasi ka luajtur me fanellën e sajë gjatë sezonit 2015-2016. Të hënën shkodrani Bekim Erkoçeviç është parë në Lezhë dhe të martën ja doli që të arrinte akordin dhe të firmostë kontratën me Besëlidhjen të paktën për një sezon.
Gjatë një bisede për “Sport Ekspres” mesfushori shkodran Bekim Erkoçeviç u shpreh kështu: “Ditët e fundit më erdhi një ftesë nga drejtuesit e Besëlidhjes dhe menjëherë iu përgjigja pozitivisht, duke kontaktuar me drejtuesit dhe pas një bisede arritëm akordin dhe sot (dje) firmosa kontratën. Gjysmën e parë të sezonit e kam mbyllur tek Vllaznia B, ndaj jam i gatshëm që të nis stërvitjen me grupin që tani. Besoj se nesër do t’i bashkohem grupit në stërvitje. Unë Besëlidhjen e njoh shumë mirë, pasi kam qenë pjesë e saja për një sezon të tërë, madje gjatë një sezoni mjaft të suksesshëm që dështuam vetëm në ndeshjen e fundit. Në situatën që ndodhet Besëlidhja ka shumë shpresa për realizimin e objektivave që janë ngjitja në elitë, që mu komunikua edhe mua gjatë bisedimeve të fundit. Besoj se me punë e përpjekje Besëlidhja do ja dalë që fazën e dytë ta mbyllë jo vetëm në pesëshen e parë që as diskutohet, por shpresoj se do t’i afrohemi, apo edhe do të kapim kreun”, – kështu e mbylli bisedën shkodrani Bekim Erkoçeviç.