Futbolli vazhdon që të pastrojë sadopak imazhin jo vetëm të sportit në Shqipëri, por edhe imazhin e vendit në tërësi, por mbështetja për të nga Qeveria vazhdon të jetë zero. Siç ndodhi me dy Europianet e zhvilluara, ku Shqipëria ishte kryefjala në gjithë mediat europianet dhe përtej Europës, falë suksesit të arritur nëpërmjet futbollit.
E si për çudi, investimet më të mëdha janë për KOKSH, fondet e mëdha shkojnë për Komitetin Olimpik të Fidel Yllit, për të mbështetur ping pong-un dhe sporte të tjera të ngjashme. Sa për kujtesë, nuk është një mos respektim i këtyre sporteve, por akoma edhe më e rëndë është fakti se paratë në to, nuk shpërndahen në mënyrë të drejtë.
Pra jo vetëm që futbolli si sporti më rezultativ dhe popullor nuk përfiton asgjë, por edhe në këto sportet e tjera ku paratë përfundojnë, shkojnë në duart e klubeve “të administratorëve” dhe “pronarëve” të mëdhenj, jo për klubet në tërësi.
Një menaxhim kaq skandaloz sjell edhe mungesën e rezultateve. Duke parë gjithë situatën e rënduar, edhe Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, nuk e ka përmbajtur veten duke folur një të vërtetë të madhe në Kuvend dhe duke ironizuar ministrin e Financave, Petrit Malaj. Braçe ka kërkuar që mbështetja të jetë për futbollin dhe jo për interesat personalë të disa personave që nuk i shërbejnë askujt.
“Politikat buxhetore sektoriale nuk bëhen sipas dëshirës, apo sipas afeksionit që cilido ka për një sport të caktuar. Blendi për padelin, Taulant për boksin, unë për ping pongun e kështu me radhë. Jo nuk bëhet kështu. Këto para që janë këtu në këtë akt normativ nuk janë para për të mbështetur sportin e padelit. Blendi do vazhdojë ta bëjë sportin e padelit me lekët e veta. Këto para janë për kuota, pjesëmarrje në këto aktivitete. 2.2 mln euro për pjesëmarrje në aktivitete janë shumë para. Ashtu si pjesa tjetër, që ne kemi disa vite që e cojmë tek komiteti olimpik duhet të prodhojë produkt.
Nëse do flasim për sporte moderne, më lejoni tju them se futbolli është një nga sportet që po jep shpirt në këtë vend. Superliga në këtë vend po mbahet nga disa presidente me lekët e tyre dhe një pjesë e këtij aktiviteti po mbahet edhe me para pa destinacion. Pra nëse do mbështesim hajde të mbështesim këtë sport masiv në Shqipëri, jo sportin sipas dëshirës së një ministri, që më lejoni të them që as unë as ai nuk e tregojmë dot sa sportiv jemi, por jo te padeli, as tek ping pongu”, tha Braçe. /Sport Ekspres/