Pas Suedisë, edhe një tjetër skuadër skandinave triumfon në play-off, sepse Danimarka ka dhuruar spektakël dhe ka fituar lehtësisht 5-1 sot në Dublin ndaj Irlandës.
Në vajtje nuk pati gola dhe u pa qartë se Danimarka është një skuadër që vuan, kur duhet të dominojë ndaj një rivali që mbrohet fort, por rezultati 0-0 në ndeshje vajtje-ardhje është mjaft i ndërlikuar. Irlanda duhej të sulmonte sot dhe ndryshoi strategji, që fillimisht i vlejti, sepse Dafi shënoi që në minutën e gjashtë.
Festë e madhe për dhjetëra mijëra tifozë në stadium, por në minutën e 29-të Kristensen gjeti golin e barazimit dhe aq u desh që Irlanda të shkërmoqej. Në vazhdim, ishte “one man” show, ishte mbrëmja e magjistarit Kristian Eriksen, i cili ashtu si te Totenhemi, tregoi se është ndër lojtarët më të mirë në botë.
Në minutën e 32-të shënoi golin që fiku Irlandën, në minutën e 63-të mbylli llogaritë dhe në të 74-të kompletoi mbrëmjen fantastike të tij dhe Danimarkës, ndaj një Irlande krejtësisht të shpartalluar.
U mbyll me aq? Jo, sepse në minutën e 90-të Danimarka fitoi edhe një 11-metërsh dhe Lord Bentner, i futur në minutën e 84-t, shënoi golin e pestë.
Festë nordike, mëse e merituar, sepse së bashku me Islandën kompletohet një treshe fantastike ekipesh në Botëror. Mungon Norvegjia, por herët a vonë edhe ajo do të ringjallet.