“Por çfarë të bëj unë kur vjen arbitri në fund të ndeshjes dhe më thotë: “Ke të drejtë, ishte penallti”. Por çfarë fitoj unë kur më thonë që ke të drejtë? Ata te VAR çfarë bëjnë, pinë kapuçino apo hanë bukë aty? Kam jetuar në 7 shtete të botës, nuk e di”.
Pak më parë janë mbyllur edhe tre ndeshjet e Superiores të programuara për ditën e sotme. Tirana është kthyer që të marrë kreun e Superiores pasi ka mundur Egnatian 1-0. Ekipi i Duros ka qenë fantastik edhe sot në transfertë ndaj kampionëve aktual, por pa dalë me pikë. Pjesa e parë u mbyll pa raste nga të dyja ekipet. Patrik do të shënonte në të 50. Menjëherë pas kësaj, miqtë ishin në kontroll të lojës dhe do të barazonin në të 74 me De Large, por goli do të anulohej për pozicion jashtë loje.
Nga ana tjetër Partizani ka marrë humbjen e dytë radhazi. Të kuqtë janë mundur në transfertë falë golit të Ujkës me goditjen e dënimit, në minutën e 17 të ndeshjes. Kryeqytetasit ishin ‘të fikur” edhe në pjesën e dytë, teksa vendasit shpërdoruan shumë raste. Një shtyllë në minutat e fundit do t’i jepte emocione të mëdha ndeshjes për një barazim të mundshëm, i cili nuk ndodhi. Ndërkohë edhe Vllaznia ka fituar ndaj Kukësit me shifrat 0-1. Goli i vetëm erdhi nga Hakaj, që realizoi një kryevepër të vërtetë në minutën e 43. Verilindorët shpërdoruan rast të pastër me Barbosën për të barazuar në minutat e fundit. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Dobi: “Nuk e kam në edukatën dhe natyrën time që të bëj viktimën. Jeta më ka mësuar që nëse bën viktimën, viktimë do ngelesh. Por çfarë të bëj unë kur vjen arbitri në fund të ndeshjes dhe më thotë: “Ke të drejtë, ishte penallti”. Por çfarë fitoj unë kur më thonë që ke të drejtë? Ata te VAR çfarë bëjnë, pinë kapuçino apo hanë bukë aty? Kam jetuar në 7 shtete të botës, nuk e di. Erdhi arbitri në fund të ndeshjes dhe më thotë që ishte penallti: “Ke të drejtë, por nuk më tha VAR”. Ishte 0-0 ndeshja dhe ndryshon historia pastaj. Nëse kjo nuk është penallti në rastin e Dacit, unë do lë profesionin e trajnerin dhe do të shkoj të bëj pica. Kush ishte te VAR, ndonjë picajol? Më fal, por çfarë prisni që të jepet penallti, duhet të shkoj në spital ai lojtari ynë që të jepet? Nuk e shoh dot këtë rast, më dhembin sytë. Nuk është se na mundi Vllaznia 4-0 dhe të themi se nuk kishim se çfarë t’i bënim. Ishte rezultati 0-0 dhe ndryshohej historia e takimit. Më erdhi arbitri pas ndeshjes dhe më tha ke të drejtë. Nuk e di pse është VAR, hiqe fare më mirë.
Duro: “Është një humbje me kampionen e Superiores. I kisha thënë edhe lojtarëve që ndeshjen do ta vendosi ndonjë episod. Më vjen keq sepse deri në fillimin e pjesës së dytë nuk kishte asnjë shans goli. Nga një hiçi i erdhi goli, këtë e kisha frikë, ishim të papërqendruar në atë moment, por më parë, Tirana nuk kishte asnjë mundësi goli. Kështu do të shkonte historia, kush do të shënonte i pari do të fitonte. Në pjesën e dytë ishim më mirë se Tirana në të gjitha aspektet. E tepruan me vonesat e lojës te Tirana, sikur e tejkaluan pak”.
Vukicevic: “Ky është futbolli. Ndonjëherë humbet ndeshje 0-1 kur nuk e meriton të humbësh dhe ndonjëherë fiton 1-0. Ky është futbolli në Shqipëri, shumë pak ndeshje mbarojnë me diferencë golash. Shumica e ndeshjeve fitohen 1-0 apo 2-1. Askush nuk luan hapur këtu. Ne jemi duke bërë disa gjëra ndryshe. Në fillim të kampionatit kemi luajtur me shumë lojtarë ofensiv dhe tani jemi më pak kompetitiv. Dua të falënderoj presidentin e klubit që më ka mbështetur. Në çdo klub të botës pas 5 humbjeve, klubi ndërron trajnerin. Por ai më dha besim dhe ishte i lumtur me punën time. Më ndihmoi kur kisha disa ditë të vështira këtu dhe prandaj duhet t’ia shpërblej. Kemi fituar sot pas një skeme, por ishte skemë e përdorur nga vetë lojtarët, jo e përgatitur në stërvitje”.
Josa: “Kur merr fitore në Kukës, je i kënaqur. Më kënaq si luajti skuadra në pjesën e parë dhe në disa minuta në pjesën e dytë. Kishim shumë mundësi, por jo të gjitha rastet bëhen gola. Ekipi ishte shumë i përqendruar sot. Ndeshja vendoset nga episodet, Barbosa mund të barazonte në fund. Garanci nga ekipi? Do ta shohim nga ndeshjet e tjera. Fitorja e sotme na bën shumë punë para takimit që do të kemi me Tiranën. Kukësi humbi dy raste të pastra në fund, duhet të kemi kujdes”.
Shehi: “Jemi të kënaqur që fituam. Egnatia luan mirë dhe ne kemi disa probleme fizike me lojtarët. Kemi vazhdimësin dhe pastaj klasifikimi është tjetër gjë. Vendi i parë? Është rrugë e gjatë përpara. Ndryshe nga sezoni i kaluar kur kishim fitore radhazi, këtë herë është më ndryshe. Presioni nga vendi i parë siç e kishte Partizani? Ne nuk biem në presion kollaj. Dihet vlera e fanellës, titujt që ne kemi. Nuk biem në presion”.
Kolela: “Sot ishte një humbje krejtësisht tjetër nga ajo me Egnatian. Një ngushëllim disi i vakët ky, por sot ka qenë një ndeshje tjetër nga ajo me Egnatian. Është e qartë se ne nuk jemi në momentin tonë më të mirë. Jam disi i kënaqur me lojtarët që aktivizova sot, ndryshe nga ajo me Egnatian. Më kanë dhuruar disa shkëndija pozitive. Humbja e vendit të parë nuk bën ndryshim të madh, por të paktën nuk do të na thonë më që jemi të pathyeshëm, nuk na ka fjalë të mira. Kjo ishte një tjetër shpullë, por ajo e së dielës ishte më e fortë, kjo e sotmja më e lehtë”.