Enea Koliçi pason Shehin te Skënderbeu

Thuajse e mbyllur. Pas përfundimit të sezonit, kapiteni i korçarëve “var këpucët në gozhdë” dhe vendin e tij e merr portieri i Kukësit. Edhe Bregu konsiderohet korçar

Nuk ka asnjë mëdyshje: portieri i ri i Skënderbeut do të jetë Enea Koliçi. Klubi jugor vazhdon punën e tij i qetë, pavarësisht se çfarë do të ndodhë me vendimin e UEFA-s për dënimin 10-vjeçar nga Kupat e Euroëps. Pas përfundimit të këtij sezoni, Koliçi do të vishet bardhekuq dhe të pasojë kështu kapitenit Orges Shehi në kuadratin e portës. Burime pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se marrëveshja mes 32-vjeçarin është mbyllur dhe pritet vetëm fundit i sezonit për ta zyrtarizuar. Orges Shehi do ti thotë lamtumirë futbollit të luajtur, kjo dihet, madje ai deshi ta mbyllte që para këtij sezoni. Skënderbeu kishte disa alternativa, mes tyre edhe Gentjan Selmani i Laçit, por përvoja e Koliçit i ka bindur korçarët ti besojnë atij. Portieri nga Pogradeci do të presë fundin e sezonit, duke respektuar kontratën me Kukësin, por në Champions League, ku pretendojnë të luajnë korçarët, do të jetë ai portieri i tyre. Një vit më parë, ardhja e Koliçit te Skënderbeu ishte pranë zyrtarizimit, por në momentin e fundit klubi kuksian e blindoi atë edhe për një sezon, pasi kishte firmosur me të drejtë rinovimi.

LËVIZJA Bisedimet janë mbyllur pozitivisht dhe Koliçi, edhe pse nuk është në nivelin e tij më të mirë këtë sezon, është pëlqyer nga korçarët. Ai mund të quhet që tani goditja e parë e Skënderbeut në merkaton verore, që drejtuesit e tij kanë vendosur ta fillojnë nga porta. Koliçi ka një përvojë të gjatë në kampionatin grek, por edhe në Shqipëri, ku ka luajtur edhe për Flamurtarin. Nga viti 2015 është pjesë e Kukësit. Kapiteni Shehi ka thënë shpesh se zëvendësuesi i tij është Aldo Teqja, por drejtuesit duan një portier edhe me më shumë përvojë, duke ditur rëndësinë e Championsit.

BREGU Skënderbeu, edhe pse është ende në një proces të hapur me UEFA-n, ku do të apelojë vendimin e saj në CAS, në verë pritet të bëjë merkato cilësore. Shehi do të tërhiqet, por ekipi ka nevojë për përforcime edhe në reparte të tjera. Një afrim me shumë vlera do të ishte ai i Kristal Abazaj, i cili sapo ka firmosur te Andërlehti. Me shumë gjasa, një tjetër afrim i rëndësishëm do të jetë ai i Dejvi Bregut. Edhe me vlonjatin është thënë se gjithçka është mbyllur. Bregu konsiderohet pjesë e Skënderbeut, pasi në Shqipëri nuk ka skuadër tjetër për të. Menaxherët e Skënderbeut janë duke punuar edhe jashtë vendit dhe para Championsit priten të paktën 2-3 afrime cilësore. Merkatoja ka filluar me Enea Koliçin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *